Jonai 1
1 Dhe fjala e Jahveh-ut i erdhi Jonait, birit të Amitait, duke thënë:
2 "Çohu, shko në Ninive, qytetin e madh, dhe kumto kundër tij, sepse ligësia e tyre ka mbërritur përpara meje."
3 Por Jonai u çua për të ikur nga prania e Jahveh-ut drejt Tarshishit. Atëherë zbriti në Jopë dhe gjeti një anije që shkonte në Tarshish; dhe pagoi çmimin e saj, dhe zbriti në të që të shkonte bashkë me ta drejt Tarshishit, larg nga prania e Jahveh-ut.
4 Por Jahveh-u hodhi një erë të fortë në det, dhe qe një stuhi e madhe në det; dhe anija gati po copëtohej.
5 Atëherë detarët u frikësuan dhe i klithën secili perëndisë së vet, dhe hodhën në det ngarkesën që ishte në anije, për ta lehtësuar prej saj. Ndërsa Jonai kishte zbritur në pjesët e ulëta të anijes dhe ishte shtrirë e kishte fjetur thellë.
6 Atëherë iu afrua kapiteni i anijes dhe i tha: "Çfarë është kështu me ty që rri duke fjetur?! Çohu dhe thirri Perëndisë tënd! Ndoshta do t'i bjerë ndërmend Perëndisë për ne dhe nuk do të humbasim."
7 Atëherë, i thanë njëri-tjetrit: "Ejani dhe të hedhim short që të dimë për shkak të kujt na erdhi kjo e keqe." Dhe ata hodhën short, e shorti i ra Jonait.
8 Atëherë i thanë atij: "Na trego, të lutemi, për shkak të kujt na erdhi kjo e keqe? Çfarë pune bën e prej nga po vjen? Cili është vendi yt dhe nga cili popull je ti?".
9 Dhe Jonai u tha atyre: "Unë jam hebre dhe vetë kam frikë Jahveh-un, Perëndinë e qiejve, i cili ka bërë detin dhe terën."
10 Atëherë burrat u frikësuan me frikë të madhe dhe i thanë: "Çfarë është kjo që ke bërë?" (sepse ata e dinin që ai ishte duke u larguar nga prania e Jahveh-ut, se ua kishte treguar).
11 Atëherë i thanë: "Çfarë të bëjmë me ty, që të qetësohet deti nga tërbimi kundër nesh?" (sepse deti sa shkonte dhe bëhej më i stuhishëm).
12 Dhe ai u tha atyre: "Më ngrini dhe më hidhni në det, dhe deti do të qetësohet nga tërbimi kundër jush, sepse unë e di që për shkakun tim ra kjo stuhi e madhe mbi ju."
13 Megjithatë, burrat vozitën për t'u kthyer drejt steresë, por nuk mundën, sepse deti sa shkonte dhe bëhej më i stuhishëm kundër tyre.
14 Atëherë i thirrën Jahveh-ut dhe thanë: "Ah, o Jahveh, të lutemi të mos humbasim për shkak të jetës së këtij njeriu, dhe mos vër mbi ne gjak të pafajshëm, sepse ti, o Jahveh, bëre ashtu siç dëshirove."
15 Kështu, e ngritën Jonain dhe e hodhën në det, dhe deti ndaloi nga tërbimi i tij.
16 Atëherë burrat iu frikësuan Jahveh-ut me frikë të madhe dhe i therën flijime Jahveh-ut, dhe bënë betime.
17 Tani, Jahveh-u kishte caktuar një peshk të madh për të gëlltitur Jonain; dhe Jonai qe në barkun e peshkut tri ditë e tri net.
Të gjithë librat
