Letra e Jakobit 5
1 Ejani, tani, ju të pasur! Qani duke vënë kujën për mjerimet tuaja, që po ju vijnë përsipër.
2 Pasuria juaj është kalbur dhe rrobat tuaja janë bërë të tenjosura.
3 Ari juaj dhe argjendi janë ndryshkur, dhe ndryshku i tyre do të jetë si dëshmi kundër jush e do të përpijë mishrat tuaja si zjarr; grumbulluat thesar në ditët e fundit.
4 Ja, paga e punëtorëve që kositën fushat tuaja – ajo që u është mbajtur nga ju – thërret, dhe klithmat e atyre që korrën kanë arritur në veshët e Zotit Sabaoth.
5 Jetuat në luks mbi tokë dhe u dhatë në shthurje. I ushqyet zemrat tuaja si në një ditë therjeje.
6 Dënuat dhe vratë të drejtin; ai nuk ju kundërvihet juve.
7 Prandaj, kini durim, vëllezër, deri në ardhjen e Zotit. Ja, bujku pret frytin e çmuar të tokës duke pasur durim për të, derisa të marrë shiun e hershëm dhe të vonë.
8 Kini durim edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afruar.
9 Mos u ankoni kundër njëri-tjetrit, vëllezër, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi qëndron te dera.
10 O vëllezërit e mi, merrni si shembull të heqjes keq dhe të durimit profetët, të cilët folën në emrin e Zotit.
11 Ja, ne i quajmë të lumë ata që qëndrojnë. Ju dëgjuat për qëndresën e Jobit dhe e patë përfundimin që solli Zoti; se Zoti është plot dhembshuri dhe përdëllyes.
12 Por, para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be as për qiellin, as për tokën, as ndonjë tjetër betim; por të jetë "po"-ja juaj "po" dhe "jo"-ja juaj "jo", që të mos bini në shtirje.
13 A po heq keq ndokush ndër ju? Të lutet! A është i lumtur ndokush? Të psalmojë!
14 A është i sëmurë ndokush ndër ju? Të thërrasë pranë pleqtë e kishës dhe ata të luten mbi të duke e vajosur atë me vaj në emrin e Zotit.
15 Dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të ligshtin dhe Zoti do ta ngrejë; e po të ketë bërë mëkate, atij do t'i falet.
16 Rrëfejani njëri-tjetrit shkeljet dhe lutuni për njëri-tjetrin, në mënyrë që të shëroheni; shumë forcë ka përgjërimi i të drejtit, duke qenë veprues.
17 Elia ishte njeri me të njëjtat përjetime si ne dhe u lut fort që të mos binte shi, dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj.
18 Dhe u lut përsëri e qielli dha shi, dhe toka prodhoi frytin e saj.
19 Vëllezër, po të shmanget ndokush ndër ju nga e vërteta dhe dikush ta kthejë,
20 ta dijë se ai që e kthen një mëkatar prej rrugës së tij të shmangies nga e vërteta, do të shpëtojë një shpirt prej vdekjes dhe do të mbulojë një morí mëkatesh.
Të gjithë librat
