Letra e Jakobit 4
1 Prej nga vijnë luftëra dhe përleshje ndër ju?! A nuk vijnë nga kjo: prej qejfeve tuaja, që luftojnë në gjymtyrët tuaja?!
2 Ju dëshironi dhe nuk keni; ju vrisni dhe keni xhelozi e nuk jeni në gjendje që të arrini gjë; ju përlesheni dhe luftoni e nuk keni, për shkak se ju nuk kërkoni.
3 Ju kërkoni dhe nuk merrni, prejse kërkoni keqas, me qëllim që të shpenzoni në qejfet tuaja.
4 O kurorëshkelës dhe kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë?! Cilido, pra, që të dojë të jetë mik i botës, e cakton veten si armik të Perëndisë.
5 Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: "Deri në smirë dëshiron fort Fryma që Perëndia bëri të banojë në ne"?!
6 Por Perëndia jep hir më të madh. Prandaj thotë: "Perëndia u kundërvihet krenarëve, por u jep hir të përulurve".
7 Nënshtrojuni, pra, Perëndisë! Bëjini qëndresë djallit dhe ai do të ikë nga ju.
8 Afrojuni Perëndisë dhe ai do t'ju afrohet juve. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe dëlirni zemrat, o njerëz dymendjesh!
9 Mjerohuni dhe vajtoni, dhe qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në mërzi.
10 Përuluni përpara Zotit dhe ai do t'ju lartësojë!
11 Mos flisni kundër njëri-tjetrit, vëllezër! Ai që flet kundër vëllait dhe që gjykon vëllain e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin. Por nëse gjykon ligjin, nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.
12 Një është ligjdhënësi dhe gjykatësi, ai që mund të shpëtojë dhe të shkatërrojë, por ti kush je që e gjykon tjetrin?
13 Ejani, tani, ju që thoni: "Sot dhe nesër do të shkojmë në aksh qytet dhe do të kalojmë atje një vit, dhe do të bëjmë tregti e do të fitojmë";
14 ju që nuk e dini çfarë ndodh të nesërmen! Sepse çfarë është jeta juaj?! Njëmend, avull do të jetë, që shfaqet për pak, por mandej dhe që zhduket.
15 Në vend që ju të thoni: "Po të dojë Zoti, edhe do të jetojmë, edhe do të bëjmë këtë apo atë".
16 Por tani, ju mburreni në krekosjet tuaja. Çdo mburrje e tillë është e ligë.
17 Për atë, pra, që di të bëjë një të mirë dhe nuk e bën, kjo është mëkat për të.
Të gjithë librat
