Letra e Jakobit 3
1 Mos u bëni shumë veta mësues, o vëllezërit e mi, duke ditur se do të marrim gjykim më të madh.
2 Se të gjithë gabojmë shumë. Nëse dikush nuk gabon në fjalë, ky është njeri i përsosur, i zoti për ta frenuar edhe tërë trupin.
3 Ja, kuajve ua vëmë frerët në gojë që ata të na binden, dhe e drejtojmë tërë trupin e tyre.
4 Ja, edhe anijet, ndonëse janë aq të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, kudo që të dëshirojë orientimi i timonierit.
5 Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël dhe krenohet me të madh. Ja, sa pak zjarr, sa pyll të madh ndez flakë!
6 Edhe gjuha është zjarr; bota e padrejtësisë. Kështu gjuha është e vendosur ndër gjymtyrët tona si ajo që e njollos tërë trupin dhe që i vë flakën rrotës së rrjedhës së jetës, dhe që merr flakë nga Gehena.
7 Njëmend, çdo lloj bishash dhe shpendësh, zvarranikësh dhe krijesash detare zbutet dhe është zbutur nga raca njerëzore,
8 por gjuhën asnjë nga njerëzit nuk mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot helm vdekjeprurës.
9 Me të bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të mallkojmë njerëzit, që janë bërë sipas përngjasimit të Perëndisë.
10 Prej së njëjtës gojë del bekim dhe mallkim. Vëllezërit e mi, nuk duhet të jenë kështu këto gjëra.
11 A mos nxjerr burimi prej së njëjtës vrimë ujë të ëmbël dhe të hidhur?!
12 Mos mundet vallë, vëllezërit e mi, që fiku të bëjë ullinj apo hardhia fiq?! Kështu, asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël.
13 Kush është i urtë dhe i dijshëm ndër ju? T'i tregojë përmes sjelljes së mirë veprat e tij në butësi të urtësisë.
14 Por nëse keni xhelozi të hidhur dhe ambicie egoiste në zemrën tuaj, mos u mburrni dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
15 Kjo nuk është urtësia që zbret nga lart, por është tokësore, shpirtësore, demoniake.
16 Se atje ku ka xhelozi dhe ambicie egoiste, atje ka trazim dhe çdo veprim të ulët.
17 Por urtësia nga lart, së pari është e dëlirë, mandej paqësore, zemërgjerë, e bindshme, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo e shtirur.
18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe atyre që bëjnë paqe.
Të gjithë librat
