Letra e Jakobit 4
1 Prej nga vijnë luftëra dhe prej nga vijnë përleshje ndër ju?! A nuk vijnë nga kjo: prej qejfeve tuaja, që luftojnë në gjymtyrët tuaja?!
2 Ju dëshironi dhe nuk keni; ju vrisni dhe keni xhelozi e nuk jeni në gjendje që të arrini gjë; ju përlesheni dhe luftoni e nuk keni, për shkak se ju nuk kërkoni.
3 Ju kërkoni dhe nuk merrni, prejse kërkoni keqas, me qëllim që të shpenzoni në qejfet tuaja.
4 O kurorëshkelës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë?! Cilido, pra, që të dojë të jetë mik i botës, e cakton veten si armik të Perëndisë.
5 Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: "Deri në smirë dëshiron fort Fryma që Perëndia bëri të banojë në ne"?!
6 Por Perëndia jep hir më të madh. Prandaj thotë: "Perëndia u kundërvihet krenarëve, por u jep hir të përulurve".
7 Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, por bëjini qëndresë djallit, dhe ai do të ikë nga ju.
8 Afrojuni Perëndisë dhe ai do t'ju afrohet juve. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe dëlirni zemrat, o njerëz dymendjesh!
9 Mjerohuni dhe vajtoni, dhe qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në mërzi.
10 Përuluni përpara Zotit dhe ai do t'ju lartësojë!
11 Mos flisni kundër njëri-tjetrit, vëllezër! Ai që flet kundër vëllait, apo që gjykon vëllain e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin. Por nëse gjykon ligjin, nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.
12 Një është ligjdhënës dhe gjykatës, ai që mund të shpëtojë dhe të shkatërrojë, por ti kush je që e gjykon të afërmin?
13 Ejani, tani, ju që thoni: "Sot ose nesër do të shkojmë në aksh qytet dhe do të kalojmë atje një vit, dhe do të bëjmë tregti e do të fitojmë";
14 ju që nuk e dini çfarë ndodh të nesërmen! Çfarë është jeta juaj?! Njëmend, avull jeni, që shfaqet për pak dhe mandej zhduket.
15 Në vend që ju të thoni: "Po të dojë Zoti, edhe do të jetojmë, edhe do të bëjmë këtë apo atë".
16 Por tani, ju mburreni në krekosjet tuaja. Çdo mburrje e tillë është e ligë.
17 Për atë, pra, që di të bëjë një të mirë dhe nuk e bën, kjo është mëkat për të.
Të gjithë librat
