Letra e Jakobit 2
1 Vëllezërit e mi, mos e kini me anësi besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit.
2 Se po të hyjë në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari e me veshje shkëlqyese dhe të hyjë edhe një i varfër me veshje të zhulosur,
3 por ju ta hidhni shikimin mbi atë që mban veshjen shkëlqyese dhe t'i thoni: "Ti ulu këtu rehat!", dhe të varfrit t'i thoni: "Ti qëndro atje!", apo "Ulu poshtë nënkëmbëzës sime!",
4 a nuk bëtë dallim ndër vete dhe a nuk u bëtë gjykatës me arsyetime të liga?!
5 Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit në këtë botë që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë të cilën ua premtoi atyre që e duan Perëndinë?!
6 Por ju e çnderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit që ju shtypin, dhe vetë ata që ju tërheqin zvarrë në gjyqe?!
7 A nuk janë ata që e blasfemojnë të bukurin Emër që u thirr mbi ju?!
8 Nëse vërtet e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: "Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde", po bëni mirë.
9 Por nëse mbani anë, po kryeni mëkat, duke u fajësuar nga ligji si shkelës.
10 Se cilido që mban tërë Ligjin, por gabon në një pikë, është bërë fajtor për të gjitha;
11 sepse ai që tha: "Të mos bësh kurorëshkelje", tha edhe: "Të mos vrasësh". Tani, nëse nuk bën kurorëshkelje, por vret, je bërë shkelës i Ligjit.
12 Kështu flisni dhe kështu bëni, si ata që do të gjykohen nëpërmjet një ligji lirie,
13 sepse gjykimi do të jetë i pamëshirë ndaj atij që nuk tregoi mëshirë. Mëshira ngadhënjen mbi gjykimin.
14 Çfarë dobie ka, vëllezërit e mi, po të thotë dikush se ka besim, por të mos ketë vepra?! Mos vallë mundet besimi për ta shpëtuar atë?!
15 Po të gjendet ndonjë vëlla ose motër të paveshur dhe që u mungon ushqimi i përditshëm,
16 dhe dikush prej jush t'u thotë atyre: "Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni!", por të mos u jepni gjërat e nevojshme për trupin, çfarë dobie ka?!
17 Kështu edhe besimi, po të mos ketë vepra, është i vdekur në vetvete.
18 Por dikush do të thotë: "Ti ke besim dhe unë kam vepra". Më trego besimin tënd pa veprat dhe unë do të të tregoj prej veprave të mia besimin.
19 Ti beson se një është Perëndia. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
20 Por a dëshiron të kuptosh, o njeri bosh, se besimi pa veprat është i padobishëm?!
21 Abrahami, ati ynë, a nuk u drejtësua prej veprash, kur ofroi Isakun, birin e tij, mbi altar?!
22 Ti e sheh se besimi bashkëvepronte me veprat e tij dhe prej veprave besimi u përsos.
23 Dhe u përmbush Shkrimi, ai që thotë: "Dhe i besoi Abrahami Perëndisë, dhe kjo iu llogarit për drejtësi"; dhe u thirr mik i Perëndisë.
24 Ju e shikoni se njeriu drejtësohet prej veprash, dhe jo vetëm prej besimit.
25 Dhe në mënyrë të ngjashme edhe Rahaba, prostituta, a nuk u drejtësua prej veprash, kur i priti lajmëtarët dhe kur i nxori nga një tjetër rrugë?!
26 Se sikurse trupi pa frymën është i vdekur, kështu edhe besimi pa vepra është i vdekur.
Të gjithë librat
