Letra e Jakobit 1
1 Jakobi, skllav i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve, që janë në diasporë: tungjatjeta!
2 Çmojeni gëzim të madh, vëllezërit e mi, kur të ndeshni në sprova të çfarëdollojshme,
3 duke e ditur se të provuarit e besimit tuaj prodhon qëndresë;
4 dhe qëndresa të kryejë një punë të përsosur, me qëllim që të jeni të përsosur dhe të tërësishëm, duke mos qenë mangët në asgjë.
5 Por nëse dikush nga ju është mangët në urtësi, duhet të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve bujarisht e pa qortuar, dhe atij do t'i jepet.
6 Por duhet të kërkojë në besim, pa dyshuar për asgjë, sepse ai që dyshon, i ngjason dallgës së detit, që trazohet e hidhet nga era.
7 Njëmend, të mos hamendësojë ai njeri se do të marrë gjë nga Zoti,
8 sepse është njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha rrugët e tij.
9 Tani, vëllai i shtresës së ulët duhet të mburret në lartësimin e tij;
10 ndërsa i pasuri të mburret në ultësimin e tij, sepse do të kalojë si një lule bari.
11 Se ngrihet dielli bashkë me vapën e vet dhe e than barin; dhe lulja e tij bie, dhe bukuria e pamjes së tij humbet. Kështu edhe i pasuri do të venitet në ndërmarrjet e tij.
12 Lum njeriu që i qëndron sprovës, sepse kur të dalë i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën ua premtoi Zoti atyre që e duan Zotin.
13 Asnjë, duke u tunduar, të mos thotë: "Nga Perëndia po tundohem!", sepse Perëndia është i patundueshëm nga gjëra të këqija dhe ai vetë nuk tundon askënd.
14 Por secili tundohet nga dëshirimi i vet, duke u tërhequr dhe duke u joshur prej tij.
15 Pastaj dëshirimi, kur mbarset, lind mëkatin dhe mëkati, kur kryhet, pjell vdekjen.
16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi të dashur!
17 Çdo dhurim i mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart, duke zbritur nga Ati i dritave, tek i cili nuk ka ndërrim apo hije ndryshimi.
18 Me dashjen e vet na lindi nëpërmjet fjalës të së vërtetës, që ne të jemi njëfarë fryti i parë i krijesave të tij.
19 Ta dini këtë, vëllezërit e mi të dashur! Por çdo njeri të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur, i ngadalshëm për zemërim;
20 se zemërimi i njeriut nuk e bën drejtësinë e Perëndisë.
21 Prandaj, duke flakur çdo fëlliqësi dhe mbeturinë keqësie, pranojeni me butësi fjalën e mbjellë, që është në gjendje për të shpëtuar shpirtrat tuaja.
22 Por bëhuni bërës të fjalës e jo vetëm dëgjues, duke mashtruar veten tuaj.
23 Se nëse dikush është dëgjues i fjalës e jo bërës i saj, ky i ngjason një njeriu që kundron fytyrën e vet natyrore në pasqyrë;
24 se ai e kundron veten dhe largohet, dhe menjëherë harron ç'lloj njeriu ishte.
25 Por ai që u përkul për të parë në ligjin e përsosur – atë të lirisë – dhe vazhdoi në të, duke mos u bërë dëgjues që harron, por bërës vepre, ky do të jetë i lum në atë që ai bën.
26 Nëse dikush pandeh se është fetar, duke mos frenuar gjuhën e vet, por duke mashtruar zemrën e vet, fetaria e këtij është e kotë.
27 Fetarí e pastër dhe e papërlyer para Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe vejushat në hallin e tyre dhe ta mbash veten të panjollosur nga bota.
Të gjithë librat
