Letra III e Gjonit 1
1 Plaku, Gajit të dashur, të cilin unë e dua në të vërtetën.
2 I dashur, lutem që të të shkojë mbarë në të gjitha dhe të jesh shëndoshë, ashtu si shkon mbarë shpirti yt.
3 Se u gëzova së tepërmi ndërsa vijnë vëllezër dhe dëshmojnë për të vërtetën tënde, se si ti ecën në të vërtetën.
4 Nuk kam gëzim më të madh sesa këtë: që të dëgjoj se fëmijët e mi janë duke ecur në të vërtetën.
5 I dashur, ti vepron besnikërisht në çfarëdo që bën për vëllezërit dhe për të huajt;
6 të cilët dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës dhe të cilët do të bësh mirë që t'i përcjellësh denjësisht për Perëndinë.
7 Se për hir të Emrit dolën, duke mos marrë asgjë nga paganët.
8 Prandaj, ne e kemi për detyrë që t'i presim të tillë njerëz, me qëllim që t'i bëhemi bashkëpunëtorë së vërtetës.
9 I shkrova kishës, por ai që do që të jetë i parë ndër ta, Diotrefi, nuk na pranon.
10 Për këtë arsye, po të vij, do të përmend veprat e tij, që ai bën, duke llomotitur për ne fjalë të liga; dhe duke mos u kënaqur me këto, as vetë nuk i pranon vëllezërit dhe ata që duan t'i pranojnë, i pengon dhe i përjashton prej kishës.
11 I dashur, mos imito të keqen, por të mirën. Ai që bën mirë, është prej Perëndisë, ai që bën keq, nuk e ka parë Perëndinë.
12 Për Dhimitrin është dhënë dëshmi nga të gjithë, edhe nga vetë e vërteta. Por edhe ne dëshmojmë, dhe ju e dini se dëshmia jonë është e vërtetë.
13 Kisha shumë për të shkruar, porse nuk dua të të shkruaj me bojë e penë;
14 por shpresoj që të të shoh së shpejti dhe do të flasim gojarisht. Paqja me ty! Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë emër për emër!
Të gjithë librat
