Letra II drejtuar Timoteut 2
1 Ti, pra, biri im, fuqizohu në hirin që është në Krishtin Jezus
2 dhe ato që dëgjove nga unë në praninë e shumë dëshmitarëve, këto gjëra besojua njerëzve besnikë, të cilët do të jenë të aftë për të mësuar edhe të tjerë.
3 Ti, pra, hiq keq si ushtar i mirë i Jezu Krishtit.
4 Asnjë që shkon ushtar nuk plekset me punët e jetesës, me qëllim që t'i pëlqejë atij që e thirri ushtar.
5 Dhe, gjithashtu, po të garojë dikush, ai nuk kurorëzohet po të mos ketë garuar sipas rregullave.
6 Bujku që mundohet, duhet të marrë i pari pjesën e fryteve.
7 Kupto ato që po them. Njëmend, Zoti të dhëntë zgjuarsi në të gjitha.
8 Kujto Jezu Krishtin, të ngjallur prej të vdekurve, prej farës së Davidit, sipas ungjillit tim,
9 për të cilin po heq keq deri në pranga si keqbërës. Porse fjala e Perëndisë nuk është prangosur!
10 Për këtë arsye i duroj të gjitha për hir të të zgjedhurve, me qëllim që edhe ata të arrijnë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, me lavdi të përjetshme.
11 E besueshme është kjo fjalë: Se nëse vdiqëm bashkë me të, edhe do të jetojmë bashkë me të.
12 Nëse durojmë, edhe do të mbretërojmë bashkë me të. Nëse e mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik; ai nuk mund të mohojë vetveten.
14 Këto gjëra sillua ndërmend atyre, duke iu përbetuar përpara Zotit që të mos bëjnë luftë fjalësh, që nuk sjell asgjë të dobishme, për rrënim të atyre që dëgjojnë.
15 Bëj çmos që ta paraqesësh veten tënde të aprovuar para Perëndisë, si punëtor i paturpëruar, duke prerë drejt fjalën e së vërtetës.
16 Por shmang bisedat boshe dhe profane, sepse ata që merren me këto do të përparojnë më tej në papërshpirtëri
17 dhe fjala e tyre do të ketë përhapje si gangrenë. Ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,
18 të cilët u shmangën në lidhje me të vërtetën, duke thënë se ringjallja tashmë ka ndodhur, dhe përmbysin besimin e disave.
19 Megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron i palëkundur, duke pasur këtë vulë: "Zoti i njeh ata që janë të tijtë", dhe "Të largohet nga padrejtësia kushdo që zë në gojë emrin e Krishtit".
20 Tani, në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe prej argjendi, por edhe prej druri dhe prej balte; dhe disa janë për nderim, të tjerat jo për nderim.
21 Prandaj, po ta pastrojë dikush vetveten nga këto gjëra, do të jetë enë për nderim, e shenjtëruar dhe e dobishme për Zotërinë, duke qenë e përgatitur për çdo punë të mirë.
22 Por ti ik prej dëshirimeve rinore dhe ndiq drejtësinë, besimin, dashurinë dhe paqen me ata që e thërrasin Zotin prej një zemre të pastër.
23 Por shmang rragatjet e marra dhe injorante, duke ditur se pjellin zënka.
24 Dhe skllavi i Zotit nuk duhet të zihet, por duhet të jetë i ëmbël ndaj të gjithëve, i aftë të mësojë, që duron të keqen,
25 duke i korrigjuar me butësi ata që kundërshtojnë, se mos Perëndia u jep atyre pendim për të arritur në njohje të plotë të së vërtetës
26 dhe që të ftillohen për të dalë prej kurthit të djallit, ngaqë janë kapur gjallë nga ai për të bërë vullnetin e tij.
Të gjithë librat
