Letra II drejtuar Timoteut 1
1 Pali, apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus,
2 Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezus, Zoti ynë.
3 I jam falënderues Perëndisë, të cilit i ofroj shërbesë sikurse paraardhësit e mi, me ndërgjegje të pastër, teksa të kujtoj ty pandërprerë në përgjërimet e mia natë e ditë,
4 duke dëshiruar fort që të të shoh, ndërsa kujtoj lotët e tu, që të mbushem me gëzim;
5 duke sjellë ndërmend besimin jo të shtirur që është në ty, i cili banoi së pari në gjyshen tënde Loide dhe në nënën tënde Eunike, dhe jam i bindur se banon edhe në ty.
6 Për këtë arsye, po të rikujtoj që ta rindezësh dhuntinë e Perëndisë, e cila është në ty nëpërmjet vënies sipër të duarve të mia.
7 Se Perëndia nuk na dha një frymë burracakërie, por fuqie dhe dashurie, dhe maturie.
8 Prandaj, të mos kesh turp për dëshminë e Zotit tonë, dhe as për mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë;
9 të atij që na shpëtoi dhe që na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të vet dhe hirit që na u dha në Krishtin Jezus para kohërave të përjetshme,
10 por që u shfaq tani nëpërmjet dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, që, nga njëra anë, shfuqizoi vdekjen dhe, nga ana tjetër, nxori në dritë jetën dhe paprishshmërinë, nëpërmjet ungjillit,
11 për të cilin unë u vura predikues dhe apostull, dhe mësues i kombeve.
12 Për këtë arsye edhe po i vuaj këto gjëra, por nuk turpërohem, sepse e di cilit i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i fuqishëm për ta ruajtur amanetin tim për atë ditë.
13 Mbaju standardit të fjalëve të shëndosha, të cilat i dëgjove nga unë, në besim dhe dashuri që janë në Krishtin Jezus.
14 Ruaje amanetin e mirë, nëpërmjet Frymës së Shenjtë që banon në ne.
15 Ti e di këtë, që më kthyen shpinën të gjithë ata në Azi, ndër të cilët janë Figeli dhe Hermogeni.
16 Zoti i dhëntë mëshirë shtëpisë së Onesiforit, sepse shpeshherë më këndelli dhe nuk pati turp për zinxhirët e mi.
17 Përkundrazi, kur u ndodh në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti
18 (Zoti i dhëntë për të gjetur mëshirë nga Zoti në atë ditë!); dhe gjithë sa më shërbeu në Efes, ti e di më mirë.
Të gjithë librat
