Letra II drejtuar Timoteut 3
1 Por dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,
2 sepse njerëzit do të jenë vetëdashës, dashurues të parasë, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pashenjtë,
3 të pandjeshëm, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, të egër, mosdashës të së mirës,
4 tradhtarë, të rrëmbyer, fodullë, qejfdashës më tepër sesa perëndidashës,
5 duke pasur formë përshpirtërie, por që e kanë mohuar fuqinë e saj. Edhe nga këta tërhiqu!
6 Se prej këtyre janë ata që përvidhen nëpër shtëpi dhe që bëjnë rob gratë mendjelehta të ngarkuara me mëkate dhe që udhëhiqen nga dëshirime të çfarëdollojshme,
7 gjithmonë duke nxënë e kurrë duke mos mundur që të vijnë në njohje të plotë të së vërtetës.
8 Dhe në të njëjtën mënyrë që Jánesi dhe Jambrési iu kundërvunë Moisiut, kështu edhe këta i kundërvihen së vërtetës; njerëz të prishur në mendje, të paaprovuar në lidhje me besimin.
9 Por këta nuk do të përparojnë më tej, sepse marrëzia e tyre do të jetë e qartë për të gjithë, siç u bë e tillë edhe ajo e atyre të dyve.
10 Por ti ke ndjekur nga afër mësimin tim, mënyrën e të jetuarit, qëllimin, besimin, durimin, dashurinë, qëndresën,
11 përndjekjet dhe vuajtjet, si ato që më ndodhën në Antioki, në Ikon dhe në Listër. Çfarë përndjekjesh durova! Dhe prej të gjitha këtyre më çliroi Zoti.
12 Por edhe të gjithë ata që duan të jetojnë përshpirtërisht në Krishtin Jezus, do të përndiqen.
13 Ndërsa njerëzit e ligj dhe hedharakë do të përparojnë për më keq, duke mashtruar dhe duke u mashtruar.
14 Por ti rri në ato që mësove dhe u binde, duke e ditur se nga kush i mësove;
15 dhe se që nga foshnjëria i di Shkrimet e Shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të urtë për shpëtim nëpërmjet besimit që është në Krishtin Jezus.
16 Çdo Shkrim është dhënë i frymuar nga Perëndia dhe është i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje, për edukimin që është në drejtësi,
17 me qëllim që njeriu i Perëndisë të jetë i aftësuar, duke qenë i pajisur si duhet për çdo vepër të mirë.
Të gjithë librat
