Letra II drejtuar Timoteut 4
1 Të përbetohem përpara Perëndisë dhe Krishtit Jezus, që ka për të gjykuar të gjallë dhe të vdekur, dhe për dukjen e tij dhe mbretërinë e tij:
2 prediko fjalën; ji gati me kohë e pa kohë; qorto, hiq vërejtje, nxit, me çdo durim dhe mësim.
3 Sepse do të ketë një kohë kur nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por sipas dëshirimeve të veta, duke gudulisur veshët, do të grumbullojnë mësues për veten e tyre;
4 dhe, nga njëra anë, do t'i largojnë veshët nga e vërteta, nga ana tjetër, do të dredhojnë drejt miteve.
5 Por ti ji i kthjellët në të gjitha, hiq keq, bëj punën e ungjilltarit, përmbushe shërbimin tënd.
6 Se unë tashmë po derdhem si ofertë pijeje dhe koha e nisjes sime është afruar.
7 Ndeshjen e mirë e kam bërë; garën e kam përfunduar; besimin e kam mbajtur.
8 Për sa mbetet, është vënë mënjanë për mua kurora e drejtësisë, të cilën do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë, në atë ditë; dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që e kanë pasur për zemër dukjen e tij.
9 Nxito të vish tek unë shpejt,
10 sepse Dema më braktisi, ngaqë deshi epokën e tanishme, dhe shkoi në Selanik; Kresku shkoi në Galati; Titi shkoi në Dalmaci.
11 Vetëm Luka është me mua. Merre Markun dhe sille me vete, sepse më është i dobishëm për shërbim.
12 Ndërsa Tikikun e dërgova në Efes.
13 Kur të vish, sill gunën që lashë në Troadë te Karpi, dhe librat, veçanërisht pergamenat.
14 Aleksandri, bakërpunuesi, më bëri shumë të këqija; Zoti do t'ia shpërblejë sipas veprave të tij.
15 Prej tij ruaju edhe ti, sepse iu kundërvu së tepërmi fjalëve tona.
16 Në mbrojtjen time të parë asnjë nuk m'u ndodh pranë, por të gjithë më braktisën; kjo mos iu llogarittë për faj!
17 Por Zoti më qëndroi pranë dhe më fuqizoi, që nëpërmjet meje të përmbushej predikimi dhe të dëgjonin të gjitha kombet; dhe unë u çlirova prej gojës së luanit.
18 Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më shpëtojë për mbretërinë e tij qiellore. Atij i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen.
19 Përshëndeti Priskën dhe Akuilin, si dhe shtëpinë e Onesiforit.
20 Erasti ndenji në Korint, ndërsa Trofimin e lashë në Milet të sëmurë.
21 Nxito që të vish para dimrit. Të përshëndesin Eubuli dhe Pudenci, dhe Lini, dhe Klaudia, dhe vëllezërit.
22 Zoti qoftë me frymën tënde! Hiri qoftë me ju!
Të gjithë librat
