Letra II drejtuar Selanikasve 3
1 Së fundi, vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të vrapojë dhe të lëvdohet, ashtu si edhe te ju,
2 dhe që të shpëtojmë nga njerëzit e paudhë dhe të ligj, sepse nuk e kanë besimin të gjithë.
3 Por besnik është Zoti, i cili do t'ju forcojë dhe do t'ju ruajë nga i ligu.
4 Dhe ne jemi të bindur në Zotin lidhur me ju se ato që ju urdhërojmë, po i bëni dhe do t'i bëni.
5 Dhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja ndaj dashurisë së Perëndisë dhe ndaj qëndrueshmërisë së Krishtit.
6 Tani, ju urdhërojmë, vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që ju të rrini larg nga çdo vëlla që ecën në mënyrë të çrregullt dhe jo sipas traditës që morën nga ne.
7 Se ju vetë e dini si duhet të na imitoni, sepse nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt ndër ju
8 dhe as nuk hëngrëm bukë falas nga ndonjë, por me mund dhe me lodhje qemë duke punuar natë e ditë, me qëllim që të mos i bëheshim barrë ndonjërit nga ju.
9 Jo se nuk e kemi këtë të drejtë, por e bëmë që ta paraqisnim veten tonë si shembull për ju, që të na imitoni.
10 Se edhe kur ishim me ju, ju urdhëronim këtë: nëse dikush nuk dëshiron të punojë, as edhe të mos hajë.
11 Se po dëgjojmë që disa ndër ju janë duke ecur në mënyrë të çrregullt, duke mos punuar fare, por duke u marrë me punë të kota.
12 Tani, të tillëve u urdhërojmë dhe u bëjmë thirrje në Zotin Jezu Krisht që të hanë bukën e tyre duke punuar me qetësi.
13 Por ju, o vëllezër, të mos ligështoheni duke bërë mirë.
14 E nëse dikush nuk i bindet fjalës sonë të ardhur përmes kësaj letre, shënojeni atë, që të mos përziheni me të, me qëllim që të turpërohet.
15 Megjithatë, mos e mbani si armik, por hiqini vërejtje si vëlla.
16 Tani, vetë Zoti i paqes ju dhëntë paqen vazhdimisht në çdo mënyrë. Zoti qoftë me të gjithë ju!
17 Përshëndetja është me dorën time, të Palit; kjo është shenjë në çdo letër; kështu shkruaj.
18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me të gjithë ju!
Të gjithë librat
