Letra II drejtuar Selanikasve 2
1 Tani, ju lusim, vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe të mbledhurit tonë bashkë tek ai,
2 që ju të mos lëkundeni ngutas nga mendja dhe të mos alarmoheni as përmes ndonjë fryme, as përmes ndonjë fjale, as përmes ndonjë letre, si gjoja përmes nesh, thua se Dita e Zotit është tani.
3 Të mos ju mashtrojë kush në asnjë mënyrë, sepse ajo nuk vjen po të mos ketë ardhur së pari apostazia dhe të mos jetë zbuluar njeriu i paligjshmërisë, biri i humbjes,
4 ai që kundërvihet dhe lartësohet mbi çdo qenie që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të ulet në shenjtëroren e Perëndisë duke e paraqitur veten se është perëndi.
5 A nuk e kujtoni se, kur isha ende me ju, jua thosha këto?
6 Dhe tani ju e dini çfarë e mban që ai të zbulohet në kohën e tij.
7 Se misteri i paligjshmërisë tashmë është në veprim, vetëm se ai që e mban tani, do ta mbajë derisa të hiqet nga mesi.
8 Dhe atëherë do të zbulohet i paligjshmi, të cilin Zoti Jezus do ta masakrojë me frymën e gojës së vet dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së vet;
9 dhe ardhja e të cilit do të jetë sipas veprueshmërisë së Satanit me çdo fuqi dhe shenja, dhe çudira gënjeshtre,
10 dhe me çdo mashtrim padrejtësie për ata që humbasin, për shkak se nuk e pranuan dashurinë për të vërtetën, që kështu ata të shpëtoheshin.
11 Dhe për këtë arsye, Perëndia u dërgon atyre një veprueshmëri mashtrimi, që ata t'i besojnë gënjeshtrës,
12 me qëllim që të gjykohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por që pëlqyen padrejtësinë.
13 Por ne e kemi për detyrë ta falënderojmë Perëndinë gjithmonë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi si fryt të parë për shpëtim me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit të së vërtetës.
14 Për këtë ju thirri nëpërmjet ungjillit tonë: për marrje në zotërim të lavdisë së Zotit tonë Jezu Krisht.
15 Rrjedhimisht, pra, vëllezër, qëndroni dhe mbajini traditat të cilat i mësuat qoftë përmes fjale, qoftë përmes letre nga ne.
16 Tani, vetë Zoti ynë Jezu Krisht dhe Perëndia, Ati ynë, që na deshi dhe na dha ngushëllim të përjetshëm dhe shpresë të mirë me anë të hirit,
17 ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë.
Të gjithë librat
