Letra II drejtuar Selanikasve 1
1 Pali dhe Silvani, dhe Timoteu, kishës së selanikasve në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht:
2 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë Perëndinë gjithmonë për ju, o vëllezër (ashtu siç është e duhur për ta bërë), sepse po rritet shumë besimi juaj dhe po shtohet dashuria e çdonjërit nga ju të gjithë ndaj njëri-tjetrit,
4 aq sa vetë ne të mburremi me ju në kishat e Perëndisë për qëndrueshmërinë tuaj dhe besimin në të gjitha përndjekjet tuaja dhe mundimet që po duroni.
5 Ky është dëftues i gjykimit të drejtë të Perëndisë, që ju të çmoheni të denjë për Mbretërinë e Perëndisë, për të cilën edhe po vuani,
6 përderisa është e drejtë para Perëndisë për t'ua shpaguar me mundim atyre që ju mundojnë,
7 dhe juve që mundoheni, t'ju japë prehje me ne në zbulesën e Zotit Jezus nga qielli bashkë me engjëjt e fuqisë së tij,
8 në zjarr flakërues, duke marrë hak ndaj atyre që nuk e njohin Perëndinë dhe ndaj atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezus.
9 Ata do të paguajnë si ndëshkim një rrënim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij,
10 kur ai të vijë në atë ditë për t'u përlëvduar në shenjtorët e tij dhe për t'u bërë i mrekullueshëm në gjithë ata që besuan (sepse u besua dëshmia jonë te ju).
11 Për këtë edhe lutemi gjithmonë për ju, që Perëndia ynë t'ju bëjë të denjë për thirrjen dhe të përmbushë me fuqi çdo pëlqim mirësie dhe vepër besimi,
12 me qëllim që të përlëvdohet emri i Zotit tonë Jezus në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë tonë dhe të Zotit Jezu Krisht.
Të gjithë librat
