Letra II e Pjetrit 2
1 Por dolën edhe profetë të rremë në popull, siç do të ketë edhe ndër ju mësues të rremë, të cilët do të fusin tinëz herezi shkatërruese, duke mohuar edhe Zotërinë që i bleu, duke sjellë, kështu, mbi veten e tyre një shkatërrim të shpejtë.
2 Dhe shumë veta do të ndjekin shthurjet e tyre, dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të blasfemohet.
3 Dhe në lakminë e tyre, do t'ju shesin dhe blejnë me fjalë të sajuara. Gjykimi i tyre qëmoti nuk përton dhe shkatërrimi i tyre nuk do të dremitë.
4 Se nëse Perëndia nuk kurseu engjëj që mëkatuan, por i hodhi në Tartar dhe i dorëzoi në vargonj skëterre, që të mbahen për gjykim,
5 dhe nëse nuk kurseu botën e lashtë, por ruajti Noeun, vetë i tetë, predikues drejtësie, kur solli përmbytje mbi botën e të papërshpirtshmëve,
6 dhe nëse dënoi me rrënim qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës, duke i bërë hi, dhe kështu duke i bërë shembull për ata që do të veprojnë papërshpirtërisht,
7 dhe nëse çliroi një Lot të drejtë, që rëndohej nga sjellja në shthurje e të paskrupujve
8 (sepse nga çfarë shihte dhe çfarë dëgjonte ky i drejtë, duke banuar ndër ta, ditë për ditë e torturonte shpirtin e tij të drejtë prej veprave të tyre të paligjshme),
9 atëherë Zoti di t'i çlirojë të përshpirtshmit prej sprovës, ndërsa të padrejtët t'i mbajë në gjendje ndëshkimi për ditën e gjyqit,
10 e veçanërisht ata që shkojnë mbas mishit në dëshirim ndyrësie dhe që përçmojnë zotërim. Kokëkrisur dhe kokëfortë, ata nuk dridhen kur fyejnë qeniet e lavdishme;
11 kurse engjëjt, ndonëse janë më të mëdhenj në forcë dhe fuqi, nuk sjellin kundër atyre ndonjë gjykim fyes para Zotit.
12 Por këta, si gjallesa të paarsye, nga natyra, që kanë lindur për gjah dhe shfarosje, duke fyer në lidhje me atο që nuk njohin, do të shfarosen krejt në shfarosjen e tyre,
13 duke marrë shpërblim të padrejtësisë së tyre. Ata e çmojnë si qejf zdërhalljen gjatë ditës; janë njolla dhe cene, duke u zdërhallur në mashtrimet e tyre, kur festojnë bashkë me ju;
14 i kanë sytë plot kurorëshkelje dhe nuk u reshtin së mëkatuari; joshin shpirtra të paqëndrueshëm dhe kanë një zemër që është stërvitur për lakmi. Fëmijë mallkimi!
15 Duke e lënë udhën e drejtë, dredhuan duke ndjekur udhën e Balaamit, birit të Bosorit, i cili deshi shpërblimin e padrejtësisë,
16 por mori qortim për shkeljen e vet (një kafshë barre e pazë, duke folur me zë njeriu, e pengoi marrëzinë e profetit).
17 Këta janë burime të pauja, re që shtyhen nga furtuna, për të cilët është ruajtur skëterra e errësirës përjetë.
18 Se duke folur fjalë të stërmëdha kotësie, joshin me dëshirime të mishit dhe shthurje ata që vërtet u ikën atyre që e çojnë jetën në gabim;
19 duke u premtuar atyre liri, ndërkohë që vetë janë skllevër të prishjes; sepse dikush edhe i bëhet skllav atij prej të cilit është mundur.
20 Se nëse ata, duke u ikur ndyrësive të botës, me anë të njohjes së plotë të Zotit dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht, dhe duke u pleksur përsëri me to, janë mundur, atëherë gjendja e fundit është bërë për ta më e keqe se e para.
21 Njëmend, do të ishte më mirë për ta që të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa, duke e njohur mirë, të kthehen pas prej urdhërimit të shenjtë që iu dorëzua.
22 Por atyre u ka ngjarë çfarë thotë fjala e urtë e vërtetë: "Qeni u kthye te të vjellat e veta", dhe: "Dosa, mbasi u la, u kthye të zhgërryhet në llucë".
Të gjithë librat
