Letra II e Pjetrit 2
1 Por dolën edhe profetë të rremë në popull, siç do të ketë edhe ndër ju mësues të rremë, të cilët do të fusin tinëz herezi shkatërruese, duke mohuar edhe Zotërinë që i bleu, duke sjellë, kështu, mbi veten e tyre një shkatërrim të shpejtë.
2 Dhe shumë veta do të ndjekin shthurjet e tyre, dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të blasfemohet.
3 Dhe në lakminë e tyre, do t'ju shesin dhe blejnë me fjalë të sajuara. Gjykimi i tyre qëmoti nuk përton dhe shkatërrimi i tyre nuk dremit.
4 Se nëse Perëndia nuk kurseu engjëj që mëkatuan, por i hodhi në Tartar dhe i dorëzoi në vargonj skëterre, që të mbahen për gjykim,
5 dhe nëse nuk kurseu botën e lashtë, por ruajti Noeun, vetë i tetë, predikues drejtësie, kur solli përmbytje mbi botën e të papërshpirtshmëve,
6 dhe nëse dënoi me rrënim qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës, duke i bërë hi, dhe kështu duke i bërë shembull për gjërat që do të vijnë mbi të papërshpirtshmit,
7 dhe nëse çliroi një Lot të drejtë, që rëndohej nga sjellja në shthurje e të paskrupujve
8 (sepse nga çfarë shihte dhe çfarë dëgjonte ky i drejtë, duke banuar ndër ta, ditë për ditë e torturonte shpirtin e tij të drejtë prej veprave të tyre të paligjshme),
9 atëherë Zoti di t'i çlirojë të përshpirtshmit prej sprovës, ndërsa të padrejtët t'i mbajë në gjendje ndëshkimi për ditën e gjyqit,
10 e veçanërisht ata që shkojnë mbas mishit në dëshirim ndyrësie dhe që përçmojnë zotërim. Kokëkrisur dhe kokëfortë, ata nuk dridhen kur fyejnë qeniet e lavdishme;
11 kurse engjëjt, ndonëse janë më të mëdhenj në forcë dhe fuqi, nuk sjellin kundër atyre ndonjë gjykim fyes para Zotit.
12 Por këta, si gjallesa pa arsye, që kanë lindur nga natyra për gjah dhe shfarosje, duke fyer në lidhje me ato që nuk njohin, edhe vetë do të shfarosen në shfarosjen e tyre,
13 duke pësuar dëm si shpërblim të padrejtësisë së tyre. Ata e çmojnë si qejf zdërhalljen gjatë ditës; janë njolla dhe cene, duke u zdërhallur në mashtrimet e tyre, kur festojnë bashkë me ju;
14 i kanë sytë plot kurorëshkelje dhe nuk u reshtin së mëkatuari; joshin shpirtra të paqëndrueshëm dhe kanë një zemër që është stërvitur për lakmi. Fëmijë mallkimi!
15 Duke e lënë udhën e drejtë, dredhuan duke ndjekur udhën e Balaamit, birit të Bosorit, i cili deshi shpërblimin e padrejtësisë,
16 por mori qortim për shkeljen e vet (një kafshë barre e pazë, duke folur me zë njeriu, e pengoi marrëzinë e profetit).
17 Këta janë burime të pauja dhe mjegulla që shtyhen nga furtuna, për të cilët është ruajtur skëterra e errësirës.
18 Se duke folur fjalë të stërmëdha kotësie, joshin me dëshirime të mishit dhe me shthurje ata që mezi u ikin atyre që e çojnë jetën në gabim;
19 duke u premtuar atyre liri, ndërkohë që vetë janë skllevër të prishjes; sepse dikush i bëhet skllav atij prej të cilit është mundur.
20 Se nëse ata, duke u ikur ndyrësive të botës, me anë të njohjes së plotë të Zotit tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht, dhe duke u pleksur përsëri me to, janë mundur, atëherë gjendja e fundit është bërë për ta më e keqe se e para.
21 Njëmend, do të ishte më mirë për ta që të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa, duke e njohur mirë, të kthehen pas prej urdhërimit të shenjtë që iu dorëzua.
22 Atyre u ka ngjarë çfarë thotë fjala e urtë e vërtetë: "Qeni u kthye te të vjellat e veta", dhe: "Dosa, mbasi u la, u kthye të zhgërryhet në llucë".
Të gjithë librat
