Letra II e Pjetrit 1
1 Simon Pjetri, skllav dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që morën në short një besim të barasvlershëm me tonin me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:
2 hir dhe paqe u shumofshin për ju në njohjen e plotë të Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë!
3 Ngaqë fuqia e tij hyjnore na i ka dhuruar të gjitha ato që kanë të bëjnë me jetën dhe përshpirtërinë, nëpërmjet njohjes së plotë të atij që na thirri nëpërmjet lavdisë dhe virtytit;
4 nëpërmjet të cilave na ka dhuruar premtimet e çmuara dhe shumë të mëdha, me qëllim që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëmarrës të natyrës hyjnore, duke i ikur prishjes që është në botë për shkak të dëshirimit.
5 Dhe pikërisht edhe për këtë arsye, duke bërë çdo përpjekje, shtoni në besimin tuaj virtytin dhe në virtyt njohurinë,
6 dhe në njohuri vetëpërmbajtjen, dhe në vetëpërmbajtje qëndresën, dhe në qëndresë përshpirtërinë,
7 dhe në përshpirtëri vëlladashjen, dhe në vëlladashje dashurinë.
8 Se nëse këto gjëra ju përkasin dhe po shumohen, bëjnë që të mos jeni të padobishëm dhe as të pafrytshëm në njohjen e plotë të Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Se ai në të cilin nuk gjenden këto gjëra, është i verbër, duke qenë dritëshkurtër dhe duke harruar pastrimin e mëkateve të tij të mëhershme.
10 Prandaj, vëllezër, përpiquni më tepër që ta bëni të sigurt thirrjen dhe zgjedhjen tuaj; sepse duke i bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrnjëherë.
11 Njëmend, kështu do t'ju sigurohet gjerësisht hyrja në mbretërinë e përjetshme të Zotit tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht.
12 Prandaj, përherë do të jem gati që t'ju sjell ndërmend këto gjëra, edhe pse ju i dini dhe jeni të vendosur në të vërtetën që është e pranishme me ju.
13 Por e çmoj të drejtë, për sa jam në këtë tendë, që t'ju zgjoj me anë të ndërmendjes së këtyre gjërave,
14 duke e ditur se heqja e tendës sime është së shpejti, ashtu siç edhe ma bëri të qartë Zoti ynë Jezu Krisht.
15 Por do të përpiqem edhe që, mbas largimit tim, ju kurdoherë të mund t'i sillni në kujtesë këto gjëra.
16 Se ne nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht duke ndjekur mite të sajuara me zgjuarsi, por duke u bërë dëshmitarë pamorë të madhështisë së tij.
17 Njëmend, kur mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, ndërsa i erdhi nga Lavdia e Madhërishme një zë i këtillë: "Ky është Biri im, i Dashuri im, në të cilin unë gjeta pëlqim",
18 edhe ne e dëgjuam këtë zë të ardhur prej qiellit, sepse qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
19 Gjithashtu ne kemi më të sigurt fjalën profetike, së cilës bëni mirë t'i kushtoni vëmendje si një kandili që ndriçon në një vend të zymtë, derisa të zbardhë dita dhe ylli i mëngjesit të lindë në zemrat tuaja,
20 duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk vjen nga një shtjellim vetjak;
21 se asnjë profeci nuk erdhi ndonjëherë prej vullnetit të njeriut, por njerëz të shtyrë nga Fryma e Shenjtë folën nga ana e Perëndisë.
Të gjithë librat
