Letra II drejtuar Korintasve 9
1 Se rreth këtij shërbimi për shenjtorët, për mua është e tepërt që t'ju shkruaj,
2 sepse e di gatishmërinë tuaj, për të cilën iu mburrem maqedonasve lidhur me ju, se Akaia është përgatitur që vjet; dhe zelli i shfaqur prej jush ngacmoi shumicën e tyre.
3 Por i dërgova vëllezërit, me qëllim që mburrja jonë lidhur me ju të mos dalë e kotë në këtë çështje, që, ashtu siç thosha, ju të jeni të përgatitur;
4 se mos mbase, po të vinin bashkë me mua disa maqedonas dhe t'ju gjenin të papërgatitur, ne (që të mos themi ju) do të turpëroheshim në këtë siguri të mburrjes që kemi.
5 Prandaj e çmova të nevojshme për t'i nxitur vëllezërit që të më paraprinin te ju dhe të bënin gati përpara kohe bekimin tuaj që e kishit lajmëruar më përpara, që, kështu, ai të jetë gati si bekim dhe jo si zhvatje.
6 Tani, dua të them këtë: ai që mbjell me kursim, me kursim edhe do të korrë; dhe ai që mbjell me bekime, me bekime edhe do të korrë.
7 Secili, ashtu siç e ka vendosur më përpara në zemër, të japë jo prej trishtimi apo prej shtrëngimi, sepse Perëndia e do një dhënës të gëzueshëm.
8 Dhe Perëndia është i fuqishëm të bëjë të mbushullojë çdo hir ndaj jush, me qëllim që, duke pasur gjithmonë në gjithçka çdo gjë mjaftueshëm, të mbushulloni për çdo punë të mirë,
9 ashtu siç është shkruar: "Ai shpërndau, u dha të vobektëve, drejtësia e tij mbetet përjetë".
10 Tani, ai që i siguron farën atij që mbjell dhe bukën për ngrënie, siguroftë dhe shumoftë farën tuaj, dhe rrittë prodhimet e drejtësisë suaj,
11 duke qenë të pasuruar në gjithçka për çdo lloj bujarie, e cila prodhon nëpërmjet nesh falënderim për Perëndinë.
12 Sepse shërbimi i kësaj shërbese, jo vetëm është duke përplotësuar nevojat e shenjtorëve, por edhe është duke mbushulluar nëpërmjet shumë falënderimesh drejtuar Perëndisë.
13 Përmes të provuarit e këtij shërbimi, ata do të lëvdojnë Perëndinë për nënshtrimin tuaj ndaj rrëfimit tuaj të ungjillit të Krishtit dhe për bujarinë e ndihmesës suaj ndaj tyre dhe ndaj të gjithëve;
14 ndërsa edhe ata, në përgjërimin e tyre për ju, kanë mall për ju, për shkak të hirit të pamasë të Perëndisë mbi ju.
15 Por qoftë falënderuar Perëndia për dhurimin e tij të papërshkrueshëm!
Të gjithë librat
