Letra II drejtuar Korintasve 13
1 Kjo është hera e tretë që vij te ju; çdo thënie do të qëndrojë me gojën e dy apo tre dëshmitarëve.
2 E kam thënë më përpara, kur isha i pranishëm të dytën herë, dhe tani që nuk jam i pranishëm po ua shkruaj dhe po ua them paraprakisht atyre që kanë mëkatuar më përpara, si dhe të gjithë të tjerëve, se po të vij përsëri, nuk do të kursej asnjërin,
3 ngaqë ju kërkoni një provë të Krishtit që flet në mua, i cili ndaj jush nuk është i dobët, por është i fuqishëm ndër ju.
4 Njëmend, edhe pse ai u kryqëzua prej dobësisë, prapëseprapë jeton prej fuqisë së Perëndisë. Dhe njëmend edhe ne jemi të dobët në të, por do të jetojmë bashkë me të, prej fuqisë së Perëndisë ndaj jush.
5 Sprovoni veten tuaj për të parë nëse jeni në besim; provoni veten tuaj! Apo nuk e kuptoni lidhur me veten tuaj se Jezu Krishti është në ju? Veç nëse dështoni në provë.
6 Por shpresoj se do ta kuptoni se ne nuk dështojmë në provë.
7 Tani, unë i lutem Perëndisë që ju të mos bëni asnjë të keqe; jo që ne të dukemi të aprovuar, por që ju të bëni të mirën, ndërsa ne le të jemi si të paaprovuar!
8 Se ne nuk mund të bëjmë gjë kundër së vërtetës, por për të vërtetën.
9 Se ne gëzohemi kurdo që ne jemi të dobët, ndërsa ju jeni të fuqishëm. Por ne edhe lutemi për këtë: ndreqjen tuaj.
10 Për këtë arsye po i shkruaj këto gjëra, duke mos qenë aty, që kur të jem i pranishëm, të mos sillem me ashpërsi, sipas pushtetit të cilin ma dha Zoti për ndërtim dhe jo për shkatërrim.
11 Së fundi, vëllezër, gëzohuni, ndrequni, merrni zemër, mendoni të njëjtën gjë, jini në paqe; dhe Perëndia i dashurisë e i paqes do të jetë me ju.
12 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjithë shenjtorët.
13 Hiri i Zotit Jezu Krisht dhe dashuria e Perëndisë, dhe përbashkësia e Frymës së Shenjtë, qofshin me të gjithë ju! Amen!
Të gjithë librat
