Letra II drejtuar Korintasve 12
1 Vërtet që të mburrurit nuk më leverdis, sepse do të vij te vegimet dhe zbulesat e Zotit.
2 Di një njeri në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh (nëse në trup, nuk e di; nëse jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di) ka qenë rrëmbyer deri në qiellin e tretë.
3 Dhe e di për atë njeri (nëse në trup a nëse jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di)
4 se u rrëmbye në Parajsë dhe dëgjoi thënie të pathënshme, të cilat nuk është e lejueshme për një njeri që t'i flasë.
5 Për të tillë njeri do të mburrem, ndërsa lidhur me veten time nuk do të mburrem, në mos në dobësitë e mia.
6 Njëmend, edhe po të doja që të mburresha, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha një të vërtetë, por po kursehem, që të mos mendojë ndokush për mua përtej asaj çfarë më sheh apo dëgjon diçka prej meje.
7 Dhe për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, me qëllim që të mos lartësohem, m'u dha një gjemb në mish, një engjëll i Satanit që të më grushtojë – me qëllim që të mos lartësohem.
8 Për këtë iu përgjërova tri herë Zotit, që ai të largohej nga unë,
9 dhe Zoti më ka thënë: "Të mjafton hiri im, sepse fuqia ime përsoset në dobësi". Me shumë kënaqësi, pra, do të mburrem më tepër në dobësitë e mia, me qëllim që fuqia e Krishtit të shtrihet si tendë mbi mua.
10 Prandaj gjej pëlqim në dobësi, në fyerje, në shtrëngime, në përndjekje dhe në ngushtica për hir të Krishtit, sepse kurdo që të jem i dobët, atëherë jam i fuqishëm.
11 Jam bërë i marrë duke u mburrur! Ju më detyruat, sepse unë duhej të rekomandohesha nga ju, se në asgjë nuk mbeta pas nga apostujt sipërorë, edhe pse nuk jam asgjë.
12 Vërtet, shenjat e apostullit u kryen ndër ju me çdo qëndrueshmëri, me shenja dhe çudira, dhe vepra fuqie.
13 Se çfarë është ajo në të cilën mbetët më poshtë sesa kishat e tjera, në mos në atë që unë vetë nuk ju rënda juve?! Ma falni hirësisht këtë padrejtësi!
14 Ja, për herë të tretë jam gati të vij te ju dhe nuk do t'ju rëndem, sepse nuk kërkoj gjërat tuaja, por ju. Se nuk e kanë detyrim fëmijët që të grumbullojnë thesar për prindërit, por prindërit për fëmijët.
15 Dhe unë, me shumë kënaqësi, do të shpenzoj dhe do të shpenzohem krejt për shpirtrat tuaja. Dhe nëse jam duke ju dashur shumë më tepër, mos vallë po duhem më pak?!
16 Por sido që të jetë, unë nuk ju rëndova, porse duke qenë dinak, ju kapa me dredhi!
17 A mos me ndonjërin nga ata që kam dërguar te ju, unë përfitova nga ju nëpërmjet tij?
18 E luta Titin që të vinte dhe bashkë me të dërgova vëllain tonë. A mos përfitoi Titi nga ju? A nuk ecëm në të njëjtën frymë? A nuk ecëm në të njëjtat gjurmë?
19 Përsëri pandehni se po mbrohemi para jush? Ne flasim përballë Perëndisë në Krishtin. Dhe të gjitha, o të dashur, janë për ndërtimin tuaj.
20 Sepse kam frikë se mos mbase, kur të vij, t'ju gjej të atillë siç nuk dëshiroj, dhe unë të gjendem nga ju i atillë siç nuk dëshironi; se mos mbase ka grindje, xhelozi, mllefe, ambicie egoiste, përfolje, pëshpëritje, mendjemadhësi, trazira;
21 se mos, ndërsa unë vij përsëri, Perëndia im të përulë para jush dhe unë të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më përpara dhe që nuk u penduan për papastërtinë dhe kurvërinë, dhe shthurjen të cilën e praktikuan.
Të gjithë librat
