Letra II drejtuar Korintasve 1
1 Pali, apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timote, kishës së Perëndisë që është në Korint, bashkë me të gjithë shenjtorët që janë në tërë Akainë:
2 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i përdëllimeve dhe Perëndia i çdo ngushëllimi;
4 ai që na ngushëllon në gjithë mundimin tonë, që ne të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo mundimi, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne vetë ngushëllohemi nga Perëndia.
5 Sepse, ashtu si mbushullojnë vuajtjet e Krishtit për ne, kështu mbushullon nëpërmjet Krishtit edhe ngushëllimi ynë.
6 Por në qoftë se mundohemi, kjo është për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që vepron në qëndresën tuaj në të njëjtat vuajtje të cilat edhe ne i vuajmë; në qoftë se ngushëllohemi, kjo është për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj. Dhe shpresa jonë për ju është e qëndrueshme,
7 duke ditur se, sikurse jeni pjesëmarrës të vuajtjeve, kështu jeni pjesëmarrës edhe të ngushëllimit.
8 Se nuk duam që ju të jeni të paditur, vëllezër, për mundimin tonë që na ndodhi në Azi, që ne u rënduam tej mase, përtej fuqisë sonë, aq sa ne të dëshpëroheshim edhe për jetën.
9 Porse ne vetë patëm në veten tonë vendimin e vdekjes, me qëllim që të mos kemi besim në veten tonë, por në Perëndinë që ngjall të vdekurit;
10 i cili na çliroi prej një rreziku vdekjeje kaq të madh dhe na çliron; në të cilin kemi shpresuar se do të na çlirojë edhe më tej,
11 ndërsa edhe ju na bashkoheni për ndihmë përmes përgjërimit për ne, me qëllim që të ketë falënderim për ne prej shumë individëve, lidhur me dhuratën e hirit të treguar ndaj nesh nëpërmjet përgjërimeve të shumë vetave.
12 Se mburrja jonë është kjo: dëshmia e ndërgjegjes sonë se në botë, por veçanërisht ndaj jush, jemi sjellë në thjeshtësi dhe çiltërsi të Perëndisë, jo në urtësi mishërore, por në hir të Perëndisë.
13 Se nuk ju shkruajmë gjëra të tjera, përveçse ato që lexoni dhe kuptoni; dhe unë shpresoj se edhe do t'i kuptoni deri në fund,
14 ashtu siç edhe na kuptuat pjesërisht se ne jemi mburrja juaj, sikundërse edhe ju mburrja jonë, në ditën e Zotit Jezus.
15 Dhe me këtë mirëbesim synoja të vija te ju më përpara, që të keni një hir të dytë,
16 dhe nëpërmjet jush të kaloja në Maqedoni dhe përsëri nga Maqedonia të vija te ju, dhe nga ju të përcillesha për në Judé.
17 Duke synuar, pra, këtë, a mos vallë veprova me mendjelehtësi? Apo ato që i vë synim, i vë synim sipas mishit, që të jetë tek unë njëkohësisht po-ja po dhe jo-ja jo?
18 Por, siç është besnik Perëndia, fjala jonë ndaj jush nuk u bë po dhe jo.
19 Sepse Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që u predikua ndër ju nëpërmjet nesh – nëpërmjet meje dhe Silvanit, dhe Timoteut – nuk u bë po dhe jo, por është bërë "po" në të.
20 Se gjithë sa janë premtime të Perëndisë, "po"-ja e tyre është në të dhe në të është "amen"-i ynë, për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh.
21 Dhe ai që na përforcon bashkë me ju në Krishtin dhe që na vajosi, është Perëndia,
22 ai që edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona.
23 Por unë e thërras Perëndinë si dëshmitar mbi shpirtin tim se për t'ju kursyer nuk erdha më në Korint.
24 Jo se kemi zotërim mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj; se ju po qëndroni të palëkundur në besim.
Të gjithë librat
