Letra II drejtuar Korintasve 9
1 Se rreth këtij shërbimi për shenjtorët, për mua është e tepërt që t'ju shkruaj,
2 sepse e di gatishmërinë tuaj, për të cilën iu mburrem maqedonasve lidhur me ju, se Akaia është përgatitur që vjet; dhe zelli juaj ngacmoi shumicën e tyre.
3 Por i dërgova vëllezërit, me qëllim që mburrja jonë lidhur me ju të mos dalë e kotë në këtë çështje, që, ashtu siç thosha, ju të jeni të përgatitur;
4 se mos mbase, po të vinin bashkë me mua disa maqedonas dhe t'ju gjenin të papërgatitur, ne (që të mos themi ju) do të turpëroheshim në këtë siguri që kemi.
5 Prandaj e çmova të nevojshme për t'i nxitur vëllezërit që të më paraprinin te ju dhe të bënin gati përpara kohe bekimin tuaj që e kishit premtuar më përpara, që, kështu, ai të jetë gati si bekim dhe jo si zhvatje.
6 Tani, dua të them këtë: ai që mbjell me kursim, me kursim edhe do të korrë; dhe ai që mbjell me bekime, me bekime edhe do të korrë.
7 Secili, ashtu siç e ka vendosur më përpara në zemër, të japë jo prej trishtimi apo prej shtrëngimi, sepse Perëndia e do një dhënës të gëzueshëm.
8 Dhe Perëndia mund të bëjë të mbushullojë çdo hir ndaj jush, me qëllim që, duke pasur gjithmonë në gjithçka çdo gjë mjaftueshëm, të mbushulloni për çdo punë të mirë,
9 ashtu siç është shkruar: "Ai shpërndau, u dha të vobektëve, drejtësia e tij mbetet përjetë".
10 Tani, ai që i siguron farën atij që mbjell dhe bukën për ngrënie, do të sigurojë dhe do të shumojë farën tuaj, dhe do të rritë prodhimet e drejtësisë suaj.
11 Ju do të pasuroheni në gjithçka për çdo lloj bujarie, e cila prodhon nëpërmjet nesh falënderim për Perëndinë.
12 Sepse shërbimi i kësaj shërbese, jo vetëm është duke përplotësuar nevojat e shenjtorëve, por edhe është duke mbushulluar nëpërmjet shumë falënderimesh drejtuar Perëndisë.
13 Përmes të provuarit e këtij shërbimi, ata do të lëvdojnë Perëndinë për nënshtrimin tuaj ndaj rrëfimit tuaj të ungjillit të Krishtit dhe për bujarinë e ndihmesës suaj ndaj tyre dhe ndaj të gjithëve;
14 ndërsa edhe ata, në përgjërimin e tyre për ju, kanë mall për ju, për shkak të hirit të pamasë të Perëndisë mbi ju.
15 Qoftë falënderuar Perëndia për dhurimin e tij të papërshkrueshëm!
Të gjithë librat
