Letra II drejtuar Korintasve 8
1 Tani, vëllezër, po ju bëjmë të njohur hirin e Perëndisë që është dhënë në kishat e Maqedonisë,
2 që në provë të madhe mundimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë mbushulloi në pasurinë e thjeshtësisë së tyre.
3 Se sipas fuqisë së tyre (unë dëshmoj) dhe përtej fuqisë dhanë vullnetarisht,
4 duke na përgjëruar me shumë këmbëngulje për hirin e pjesëmarrjes në shërbimin për shenjtorët.
5 Dhe ata vepruan jo thjesht ashtu siç shpresuam, por ia dhanë së pari veten e tyre Zotit dhe pastaj neve, nëpërmjet vullnetit të Perëndisë.
6 Për rrjedhojë, ne e nxitëm Titin që, ashtu siç e filloi më herët, kështu dhe ta përfundonte ndër ju edhe këtë vepër hiri.
7 Por sikurse mbushulloni në gjithçka – në besim dhe në fjalë, dhe në njohuri, dhe në çdo zellshmëri, dhe në dashurinë prej nesh që frymëzuam në ju – kërkoni që të mbushulloni edhe në këtë vepër hiri.
8 Nuk po e them këtë si urdhër, por që, nëpërmjet zellshmërisë së të tjerëve, të vë në provë edhe vërtetësinë e dashurisë suaj.
9 Se ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht që, duke qenë i pasur, u varfërua për hatrin tuaj, me qëllim që ju, nëpërmjet varfërisë së tij, të pasuroheshit.
10 Dhe po jap një mendim në këtë çështje, sepse kjo ju leverdis juve të cilët e filluat më herët, që vjet, jo vetëm të bërët, por edhe të dëshiruarit.
11 Dhe tani përfundojeni edhe të bërët, në mënyrë që, sikundërse qe gatishmëria e të dëshiruarit, kështu të jetë edhe të përfunduarit e saj prej të ardhurave që keni.
12 Se nëse gjendet gatishmëria për të dhënë, kjo është e pranueshme sipas asaj që dikush ka, jo sipas asaj që nuk ka.
13 Se kjo nuk bëhet që të tjerët të kenë lehtësim, ndërsa ju rëndim, po për arsye barazie.
14 Në kohën e tanishme, mbushullia juaj ndihmon për nevojën e atyre, me qëllim që edhe mbushullia e atyre të bëhet ndihmë për nevojën tuaj, në mënyrë që të bëhet barazi,
15 ashtu siç është shkruar: "Ai që mblodhi shumë, nuk pati më shumë; dhe ai që mblodhi pak, nuk pati më pak".
16 Por qoftë falënderuar Perëndia që vë në zemrën e Titit të njëjtën zellshmëri për ju,
17 sepse, nga njëra anë, ai e pranoi nxitjen tonë, nga ana tjetër, duke qenë edhe më i zellshëm, u nis vullnetarisht drejt jush.
18 Dhe bashkë me të dërguam vëllain, lavdërimi i të cilit në lidhje me ungjillin është nëpër të gjitha kishat.
19 Dhe jo vetëm kaq, por edhe u zgjodh nga kishat si bashkudhëtari ynë bashkë me këtë vepër hiri që shërbehet nga ne për lavdinë e Zotit dhe për të treguar gatishmërinë tonë,
20 duke shmangur, kështu, këtë: të mos na përflasë kush në lidhje me këtë bollëk që shërbehet nga ne;
21 se tregojmë kujdes për çfarë është e mirë, jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve.
22 Dhe bashkë me ta dërguam vëllain tonë, të cilin e provuam shumë herë në shumë gjëra se është i zellshëm, por tani është shumë më i zellshëm, për shkak të mirëbesimit të madh që ka ndaj jush.
23 Sa për Titin, ai është ortaku im dhe bashkëpunëtor për ju. Sa për vëllezërit tanë, ata janë të dërguar të kishave, lavdi e Krishtit.
24 Prandaj, tregoni ndaj tyre, në sy të kishave, provën e dashurisë suaj dhe të mburrjes sonë lidhur me ju.
Të gjithë librat
