Letra II drejtuar Korintasve 7
1 Prandaj, duke pasur këto premtime, o të dashur, ta pastrojmë vetveten nga çdo përlyerje mishi dhe fryme, duke e përfunduar shenjtërimin tonë në frikën e Perëndisë.
2 Na bëni vend; ne asnjërit nuk i bëmë padrejtësi, asnjë nuk dëmtuam, asnjë nuk shfrytëzuam.
3 Nuk po e them këtë për dënim, sepse e kam thënë më përpara se ju jeni në zemrat tona për të vdekur bashkë dhe për të jetuar bashkë.
4 I madh është guximi im ndaj jush; e madhe është mburrja ime lidhur me ju. Jam mbushur me ngushëllim, po stërmbushulloj me gëzim në gjithë mundimin tonë.
5 Se edhe ndërsa ne erdhëm në Maqedoni, mishi ynë nuk pati aspak prehje, por ishim të shtrënguar në çdo anë: përjashta përleshje, përbrenda frikëra.
6 Por Perëndia, ai që ngushëllon të përvuajturit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit;
7 dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin me të cilin u ngushëllua ndër ju, duke na dëftuar mallin tuaj, vajtimin tuaj, zellin tuaj për mua, aq sa unë të gëzohesha edhe më tepër.
8 Se edhe nëse ju trishtova me letrën time, nuk më vjen keq. Edhe nëse më erdhi keq (sepse shoh që ajo letër, qoftë edhe për një çast, ju trishtoi),
9 tani gëzohem, jo se u trishtuat, por se u trishtuat për pendim; sepse u trishtuat sipas Perëndisë, që në asgjë të mos pësonit humbje prej nesh.
10 Se trishtimi sipas Perëndisë sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriu nuk ka keqardhje; ndërsa trishtimi i botës prodhon vdekje.
11 Sepse ja, vetë kjo gjë, të trishtuarit tuaj sipas Perëndisë, sa zellshmëri prodhoi në ju! Po sa fjalë mbrojtjeje, po sa pezmatim, po sa frikë, po sa mall, po sa zell, po sa ndëshkim! Në gjithçka e nxorët në pah veten tuaj se jeni të dëlirë në këtë çështje.
12 Kështu që, edhe pse ju shkrova, nuk ishte për shkak të atij që bëri padrejtësi dhe as për shkak të atij që pësoi padrejtësi, por në mënyrë që të shfaqej te ju zellshmëria juaj për ne përpara Perëndisë.
13 Për këtë arsye ne jemi ngushëlluar. Dhe përtej ngushëllimit tonë, u gëzuam edhe shumë më tepër për gëzimin e Titit, sepse fryma e tij është përtërirë nga të gjithë ju.
14 Sepse nëse i jam mburrur atij për ndonjë gjë lidhur me ju, nuk u turpërova, përkundrazi, ashtu siç jua thamë të gjitha në të vërtetë, kështu edhe mburrja jonë para Titit doli e vërtetë.
15 Dhe zemra i është bërë mal për ju, ndërsa rikujton bindjen e të gjithëve ju, si e pritët me frikë dhe me dridhje.
16 Gëzohem se në gjithçka mund të kem besim në ju.
Të gjithë librat
