Letra II drejtuar Korintasve 6
1 Tani, duke bashkëpunuar me Perëndinë, ne edhe ju bëjmë thirrje që të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë,
2 – sepse thotë: "Në kohë të pranueshme ta vura veshin dhe në ditë të shpëtimit të ndihmova". Ja, tani është "kohë e pranueshme"; ja, tani është "ditë shpëtimi"! –
3 duke mos dhënë asnjë shkak pengese në asgjë, me qëllim që të mos përflitet shërbimi ynë,
4 por në gjithçka duke e rekomanduar veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë: në qëndresë të madhe, në mundime, në shtrëngime, në ngushtica,
5 në goditje, në burgime, në trazira, në sfilitje, në pagjumësi, në të pangrëna,
6 në dëlirësi, në njohuri, në durim, në mirësi, në Frymën e Shenjtë, në dashuri jo të shtirur,
7 në fjalën e së vërtetës, në fuqi të Perëndisë, përmes armëve të drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,
8 përmes lavdisë dhe çnderimit, përmes fjalës së keqe dhe fjalës së mirë; të mbajtur si mashtrues, e megjithatë të vërtetë;
9 si të panjohur, e megjithatë të njohur mirë; si duke vdekur dhe, ja, jetojmë; si të ndëshkuar, e megjithatë jo duke u çuar në vdekje;
10 si të trishtuar, por përherë duke gëzuar; si të varfër, por shumë veta duke i pasuruar; si duke mos pasur asgjë, e megjithatë duke i pasur të gjitha.
11 Goja jonë ka folur hapur ndaj jush, o korintas; zemra jonë është bërë e gjerë ndaj jush.
12 Ju nuk jeni shtrëngueshëm në ne, por jeni shtrëngueshëm në zemrat tuaja.
13 Tani, si shkëmbim i ndërsjellë (ju them si fëmijëve) bëhuni të gjerë edhe ju.
14 Mos u vini në një zgjedhë të pabarabartë me jobesimtarët; se çfarë ortakërie ka mes drejtësisë dhe paligjshmërisë? Apo çfarë përbashkësie ka drita me errësirën?
15 Dhe çfarë harmonie ka Krishti me Beliarin? Apo çfarë pjese ka një besimtar me një jobesimtar?
16 Dhe çfarë marrëveshjeje ka një shenjtërore e Perëndisë me idhujt? Sepse ne jemi shenjtërore e Perëndisë së gjallë, ashtu siç tha Perëndia: "Do të banoj ndër ta dhe do të ec ndër ta, dhe do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im".
17 Prandaj "dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni", thotë Zoti, "dhe mos prekni asgjë të papastër, dhe unë do t'ju mirëpres.
18 Dhe unë do t'ju jem atë, dhe ju do të më jeni bij dhe bija", thotë Zoti i gjithëpushtetshëm.
Të gjithë librat
