Letra II drejtuar Korintasve 5
1 Se ne e dimë që po të prishet shtëpia jonë tokësore, kjo çadër, kemi një ndërtesë prej Perëndisë, një shtëpi të pabërë me dorë, të përjetshme në qiej.
2 Dhe njëmend, në këtë psherëtijmë, duke dëshiruar fort që të veshim përsipër banesën tonë që është prej qiellit,
3 nëse vërtet, edhe duke e veshur, nuk do të gjendemi lakuriq.
4 Dhe njëmend, ne që jemi në këtë çadër, psherëtijmë duke qenë të rënduar, për shkak se nuk duam që të zhvishemi, por të vishemi përsipër, me qëllim që e vdekshmja të përpihet nga jeta.
5 Tani, ai që na përgatiti pikërisht për këtë, është Perëndia, që na dha kaparin – Frymën.
6 Prandaj, duke pasur gjithmonë kurajë dhe duke e ditur se, ndërsa banojmë në trup, banojmë larg nga Zoti
7 (sepse ecim përmes besimit, jo përmes asaj që duket),
8 pra, kemi kurajë dhe na pëlqen më tepër që të banojmë larg prej trupit dhe të banojmë pranë Zotit.
9 Prandaj dhe kemi ambicie që, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke banuar larg trupit, të jemi të pëlqyeshëm prej tij.
10 Se të gjithë ne duhet të shfaqemi përpara fronit të gjykimit të Krishtit, me qëllim që secili të marrë shpagim për gjërat që ka bërë nëpërmjet trupit, sipas atyre që praktikoi, qoftë e mirë, qoftë e keqe.
11 Prandaj, duke ditur frikën e Zotit, përpiqemi të bindim njerëz, por vetë jemi njohur mirë prej Perëndisë; dhe shpresoj që të jemi njohur mirë edhe në ndërgjegjet tuaja.
12 Ne nuk po jua rekomandojmë përsëri veten tonë, por jemi duke ju dhënë rast mburrjeje lidhur me ne, me qëllim që të keni një përgjigje ndaj atyre që mburren me pamje e jo me zemër.
13 Se në qoftë se dolëm mendsh, ishte për Perëndinë; në qoftë se jemi shëndoshë nga mendja, është për ju.
14 Sepse dashuria e Krishtit na kontrollon, ngaqë kemi arritur në këtë përfundim: se një vdiq për të gjithë, kështu që të gjithë vdiqën.
15 Dhe ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.
16 Prandaj ne, tani e tutje, asnjë nuk e njohim sipas mishit; edhe nëse e kemi njohur sipas mishit Krishtin, prapëseprapë tani nuk e njohim më ashtu.
17 Kështu që, nëse dikush është në Krishtin, ai është krijim i ri; të vjetrat kaluan; ja, janë bërë gjëra të reja!
18 Dhe të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me vetveten nëpërmjet Krishtit dhe që na dha shërbimin e pajtimit,
19 që do të thotë se Perëndia ishte në Krishtin duke e pajtuar botën me vetveten, duke mos ua llogaritur shkeljet e tyre dhe duke vënë në ne fjalën e pajtimit.
20 Prandaj, ne jemi emisarë për Krishtin, si të ishte Perëndia duke bërë thirrje nëpërmjet nesh; ju përgjërohemi në këmbë të Krishtit: Pajtohuni me Perëndinë!
21 Atë që nuk njihte mëkat, Perëndia e bëri mëkat për ne, me qëllim që ne të bëheshim drejtësi e Perëndisë në atë.
Të gjithë librat
