Letra II drejtuar Korintasve 4
1 Për këtë arsye, meqenëse kemi këtë shërbim, siç morëm mëshirë nga Perëndia, nuk ligështohemi.
2 Përkundrazi, i mohuam gjërat e fshehta të turpit, duke mos ecur në dinakëri dhe duke mos e shtrembëruar fjalën e Perëndisë, por përmes shfaqjes të së vërtetës, duke e rekomanduar veten tonë ndaj ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë.
3 Por edhe nëse ungjilli ynë është i mbuluar, është i mbuluar për ata që humbasin,
4 në rastin e të cilëve perëndia i kësaj epoke i verboi mendjet e jobesimtarëve, që të mos shikojnë ndriçimin e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëllesë e Perëndisë.
5 Se ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin si Zot dhe veten tonë si skllevërit tuaj për hir të Jezusit.
6 Sepse Perëndia, ai që tha: "Prej errësire do të rrezatojë dritë", është ai që rrezatoi në zemrat tona për të na dhënë ndriçimin e njohjes së lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.
7 Por ne e kemi këtë thesar në enë të balta, me qëllim që jashtëzakonshmëria e fuqisë të jetë e Perëndisë dhe jo prej nesh;
8 në gjithçka duke qenë të munduar, por jo të shtrënguar; duke qenë të hutuar, por jo të dëshpëruar;
9 duke qenë të përndjekur, por jo të braktisur; duke qenë të hedhur poshtë, por jo të shkatërruar;
10 gjithmonë duke mbartur në trup gjithandej vdekësinë e Jezusit, me qëllim që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.
11 Sepse ne që jetojmë, jemi të dorëzuar përherë në vdekje për hir të Jezusit, me qëllim që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.
12 Kështu që vdekja vepron në ne, ndërsa në ju jeta.
13 Por duke pasur të njëjtën frymë të besimit, sipas asaj që është shkruar: "Besova, prandaj fola", edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim;
14 duke ditur se ai që ngjalli Jezusin, do të na ngjallë edhe ne bashkë me Jezusin dhe do të na paraqesë bashkë me ju.
15 Se të gjitha janë për dobinë tuaj, me qëllim që hiri, duke u përhapur nëpër sa më shumë njerëz, të bëjë që falënderimi të mbushullojë për lavdinë e Perëndisë.
16 Prandaj nuk ligështohemi, por edhe nëse njeriu ynë i jashtëm po prishet, prapëseprapë njeriu ynë i brendshëm po ripërtërihet dita-ditës.
17 Sepse mundimi ynë i lehtë dhe i çastshëm prodhon për ne, përtej çdo lloj mase, një peshë të përjetshme lavdie;
18 ndërsa ne nuk e mbajmë shikimin nga ato që shihen, por nga ato që nuk shihen; se ato që shihen, janë të përkohshme, ndërsa ato që nuk shihen, janë të përjetshme.
Të gjithë librat
