Letra II drejtuar Korintasve 3
1 A fillojmë përsëri për të rekomanduar veten tonë?! Apo mos kemi nevojë, si disa, për letra rekomanduese për ju ose prej jush?!
2 Letra jonë jeni ju, e mbishkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit,
3 duke qenë shfaqur se jeni letër e Krishtit, e shërbyer nga ne, e mbishkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë; jo në rrasa të gurta, por në rrasa zemre mishtore.
4 Dhe të tillë siguri besimi e kemi nëpërmjet Krishtit ndaj Perëndisë.
5 Jo se jemi nga vetja jonë të aftë për ta llogaritur diçka si të ardhur prej vetes sonë, përkundrazi, aftësia jonë vjen prej Perëndisë,
6 i cili edhe na bëri të aftë për të qenë shërbenjës të një besëlidhjeje të re, jo të shkronjës, por të Frymës; se shkronja vret, por Fryma bën të gjallë.
7 Tani, nëse shërbimi i vdekjes, që me shkronja ishte gdhendur në gurë, erdhi me lavdi, saqë bijtë e Izraelit të mos mund të vështronin drejt fytyrës së Moisiut, për shkak të lavdisë së fytyrës së tij (lavdi që po merrte fund),
8 si nuk do të jetë më tepër me lavdi shërbimi i Frymës?!
9 Se nëse në shërbimin e dënimit ka lavdi, shumë më tepër mbushullon me lavdi shërbimi i drejtësisë.
10 Dhe njëmend, ajo që ka qenë e lavdishme, nuk është e lavdishme në këtë rast, për shkak të lavdisë që ia tejkalon.
11 Se nëse ajo që po merrte fund, erdhi përmes lavdie, shumë më tepër është me lavdi ajo që mbetet.
12 Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, veprojmë me shumë guxim,
13 dhe jo sikundërse Moisiu, i cili vinte vel mbi fytyrën e tij, që bijtë e Izraelit të mos vështronin drejt mbarimit të asaj që po merrte fund.
14 Porse mendjet e tyre u ngurtësuan, sepse deri në ditën e sotme i njëjti vel mbi leximin e Besëlidhjes së Vjetër mbetet pa u hequr, sepse ai merr fund në Krishtin.
15 Por deri më sot, kurdo që lexohet Moisiu, një vel ndehet mbi zemrën e tyre.
16 Por kurdo që dikush të kthehet te Zoti, veli hiqet.
17 Tani, Zoti është Fryma, dhe aty ku është Fryma e Zotit, ka liri.
18 Por ne të gjithë, me fytyrë pa vel, duke pasqyruar lavdinë e Zotit, shndërrohemi në të njëjtën shëmbëllesë nga lavdia në lavdi, sikundërse nga Zoti, Fryma.
Të gjithë librat
