Letra II drejtuar Korintasve 2
1 Se unë vendosa në veten time këtë: të mos vij përsëri te ju në trishtim.
2 Sepse nëse unë ju trishtoj ju, atëherë kush është ai që më galdon mua, në mos ai që trishtohet prej meje?
3 Dhe e shkrova pikërisht këtë, me qëllim që, kur të vij, të mos kem trishtim nga ata që duhej të më gëzonin, duke pasur besim në të gjithë ju se gëzimi im është i të gjithëve ju.
4 Se prej shumë mundimi dhe ankthi të zemrës ju shkrova përmes shumë lotësh, jo që të trishtoheshit, por që të njihnit dashurinë që kam tej mase për ju.
5 Por nëse dikush ka shkaktuar trishtim, nuk më ka trishtuar vetëm mua, por deri diku (që të mos e bëj të madhe) të gjithë ju.
6 I mjaftueshëm është për atë njeri ky ndëshkim që iu bë nga shumica;
7 kështu që, përkundrazi, ju duhet më tepër ta hirësoni dhe t'i jepni zemër, që ai njeri të mos përpihet prej trishtimit të tepërt.
8 Prandaj ju bëj thirrje që të ripohoni dashurinë tuaj për të.
9 Sepse për këtë edhe ju shkrova, që të njihja të provuarit e karakterit tuaj, nëse jeni të bindur në të gjitha.
10 Por cilitdo që i falni hirësisht diçka, ia fal hirësisht edhe unë, sepse edhe unë, çfarëdo që kam falur hirësisht (nëse kam falur hirësisht diçka), e bëra për hatrin tuaj në fytyrën e Krishtit,
11 me qëllim që të mos shfrytëzohemi nga Satani, se nuk jemi të paditur lidhur me mendimet e tij.
12 Tani, kur erdha në Troadë për ungjillin e Krishtit dhe ndërsa m'u hap një derë në Zotin,
13 nuk pata prehje në frymën time, sepse nuk e gjeta Titin, vëllain tim; por si u ndava me ta, dola për në Maqedoni.
14 Por qoftë falënderuar Perëndia, ai që gjithmonë na çon në procesion triumfi në Krishtin dhe që shfaq nëpërmjet nesh aromën e njohjes së tij në çdo vend.
15 Sepse ne jemi për Perëndinë era e mirë e Krishtit ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin;
16 për këta, aromë prej vdekjes në vdekje, për ata, aromë prej jetës në jetë. Dhe kush është i aftë për këto?!
17 Se ne nuk jemi si shumë të tjerë, duke bërë shitblerje të fjalës së Perëndisë, por si prej çiltërsie, por si prej Perëndisë, kundruall Perëndisë, flasim në Krishtin.
Të gjithë librat
