Letra II drejtuar Korintasve 11
1 Oh sikur të më duronit në paksa marrëzi! Por edhe po më duroni.
2 Se jam xheloz për ju me xhelozi Perëndie, sepse ju fejova me një burrë të vetëm, për t'i paraqitur Krishtit një virgjëreshë të dëlirë.
3 Por kam frikë se mos mbase, ashtu si gjarpri mashtroi Evën me dinakërinë e tij, kështu të prishen mendjet tuaja, duke u larguar nga thjeshtësia dhe dëlirësia ndaj Krishtit.
4 Se nëse dikush që vjen te ju, predikon një tjetër Jezus të cilin ne nuk e predikuam, apo ju merrni një frymë të ndryshme, të cilën nuk e morët, apo një ungjill të ndryshëm, të cilin nuk e pranuat, bukur e duroni!
5 Se unë mendoj që në asgjë nuk kam mbetur pas nga apostujt sipërorë.
6 Por edhe nëse jam amator në fjalë, prapëseprapë nuk jam në njohuri; përkundrazi, në gjithçka e kemi shfaqur këtë ndaj jush në të gjitha mënyrat.
7 Apo bëra mëkat duke e ulur veten time që ju të lartësoheshit, ngaqë ju shpalla falas si lajm të mirë ungjillin e Perëndisë?
8 Unë zhvata kisha të tjera, duke marrë një pagesë për shërbimin ndaj jush.
9 Dhe kur isha i pranishëm me ju dhe qeshë në nevojë, nuk iu rënda asnjërit, sepse nevojën time e përplotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia, dhe në gjithçka e ruajta veten time dhe do ta ruaj, që të mos ju bëhem barrë.
10 Siç është e vërteta e Krishtit në mua, kjo mburrje, për sa më përket mua, nuk do të bëhet të heshtë në viset e Akaisë.
11 Përse? Se nuk ju dua? Perëndia e di se ju dua!
12 Por çfarë po bëj, do ta bëj ende, me qëllim që t'ua heq rastin atyre që dëshirojnë rast që të gjenden ashtu si edhe ne në atë çfarë mburren.
13 Sepse të tillë njerëz janë apostuj të rremë, punëtorë hileqarë, që ndërrojnë trajtë në apostuj të Krishtit.
14 Dhe nuk është habi, sepse vetë Satani ndërron trajtë në engjëll drite.
15 Nuk është gjë e madhe, pra, nëse edhe shërbëtorët e tij ndërrojnë trajtë si gjoja shërbëtorë drejtësie, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre.
16 Përsëri po them: të mos më pandehë kush se jam i marrë! Por nëse, gjithsesi, e bëni, më pranoni qoftë edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem paksa.
17 Çfarë po flas, nuk po e flas sipas Zotit, por si në marrëzi, në këtë siguri mburrjeje.
18 Ngaqë shumë mburren sipas mishi, edhe unë do të mburrem.
19 Se ju i duroni me ëndje të marrët, ngaqë jeni të mençur!
20 Njëmend, ju duroni nëse dikush ju skllavëron, nëse dikush ju gllabëron, nëse dikush ju shfrytëzon, nëse dikush mbahet me të madh, nëse dikush ju qëllon në fytyrë.
21 Për turpin tim e them që ne kemi qenë të dobët në këtë! Por në çfarëdo gjëje që të guxojë dikush (po e them në marrëzi), guxoj edhe unë.
22 Hebrenj janë? Jam edhe unë. Izraelitë janë? Jam edhe unë. Pasardhje e Abrahamit janë? Jam edhe unë.
23 Shërbëtorë të Krishtit janë? (Po flas si i dalë mendsh.) Unë edhe më tepër: në sfilitje shumë më tepër, në burgime shumë më tepër, në goditje përtej mase, në rrezik për vdekje shpeshherë.
24 Nga judenjtë mora pesë herë nga dyzet kamxhikë pa një,
25 tri herë u shkopita, një herë u qëllova me gurë, tri herë bëra anijethyerje, kam bërë një natë e një ditë në thellësi të detit.
26 Kam qenë në udhëtime shpeshherë, në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rreziqe prej bashkatdhetarësh, në rreziqe prej kombesh; jam ndodhur rreziqeve në qytet, rreziqeve në shkretëtirë, rreziqeve në det, rreziqeve ndër vëllezër të rremë,
27 në sfilitje dhe lodhje, në pagjumësi shpeshherë, në uri dhe etje, në të pangrëna shpeshherë, në të ftohtë dhe lakuriqësi.
28 Përveç gjërave të tjera, pesha e përditshme mbi mua është shqetësimi për të gjitha kishat.
29 Kush është i dobët dhe unë nuk jam i dobët?! Kush shkandullohet dhe unë nuk marr zjarr?!
30 Nëse duhet për t'u mburrur, do të mburrem për ato që lidhen me dobësinë time.
31 Perëndia dhe Ati i Zotit Jezus, ai që është i bekuar në shekuj, e di se nuk po gënjej.
32 Në Damask, qeveritari i mbretit Aret ruante qytetin e damaskasve për të më kapur
33 dhe përmes një dritareje u lëshova përgjatë murit në një kosh dhe ika nga duart e tij.
Të gjithë librat
