Letra II drejtuar Korintasve 10
1 Tani, vetë unë, Pali, ju bëj thirrje nëpërmjet butësisë dhe mirësisë së Krishtit – unë që ballë për ballë jam i përulur me ju, por kur nuk jam aty, kam kurajë ndaj jush.
2 Tani, ju përgjërohem që, kur të jem i pranishëm, të mos më duhet të kem kurajë me sigurinë me të cilën mendoj të guxoj kundër disave që na mendojnë ne si njerëz që ecim sipas mishi.
3 Se ndonëse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishi,
4 sepse armët e luftimit tonë nuk janë mishërore, por të fuqishme për Perëndinë, për shkatërrim fortesash, duke përmbysur arsyetime
5 dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë, dhe duke e bërë rob çdo mendim për bindjen ndaj Krishtit,
6 dhe duke qenë gati për të ndëshkuar çdo mosbindje, kurdo që të përmbushet bindja juaj.
7 Ju i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme. Nëse dikush është i bindur në vetvete se është i Krishtit, duhet të mendojë gjithashtu këtë në vetvete: se ashtu siç është ai i Krishtit, kështu jemi edhe ne.
8 Sepse edhe po të mburresha diçka më tepër rreth pushtetit tonë, të cilin na e dha Zoti për ndërtimin dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohem,
9 që të mos dukem sikur po kërkoj për t'ju trembur nëpërmjet letrave.
10 Sepse dikush thotë: "Letrat e tij vërtet janë të rënda dhe të forta, por prania e tij trupore është e dobët dhe fjala e tij e përbuzshme".
11 I tillë njeri duhet të mendojë këtë: se ashtu siç jemi të atillë në fjalë, përmes letrash, kur nuk jemi aty, të tillë do të jemi edhe në vepër, kur të jemi të pranishëm.
12 Se ne nuk guxojmë ta rendisim apo ta krahasojmë veten tonë me disa nga ata që rekomandojnë veten e tyre; por ata, duke e matur veten me veten e tyre dhe duke e krahasuar veten me veten e tyre, nuk arrijnë të kuptojnë.
13 Ndërsa ne nuk do të mburremi përtej masës, por sipas masës së fushës së veprimtarisë të cilën na e ndau Perëndia si masë, sa për të arritur edhe deri te ju.
14 Se nuk jemi duke e shtrirë veten tonë përtej, thua se nuk kemi arritur te ju (sepse edhe deri te ju arritëm me ungjillin e Krishtit),
15 dhe nuk jemi duke u mburrur përtej masës sonë në mundimet e të tjerëve, por jemi duke pasur shpresë që, ndërsa rritet besimi juaj, të zgjerohemi gjerësisht ndër ju, sipas fushës sonë të veprimtarisë,
16 që ta shpallim ungjillin përtej vendeve tuaja, që të mos mburremi për ato që janë kryer në fushën e veprimtarisë së një tjetri.
17 Por "ai që mburret, duhet të mburret në Zotin".
18 Sepse nuk është i aprovuar ai që e rekomandon vetveten, por ai të cilin e rekomandon Zoti.
Të gjithë librat
