Letra I drejtuar Timoteut 6
1 Gjithë sa janë nën zgjedhë si skllevër, t'i çmojnë zotërinjtë e tyre të denjë për çdo nderim, me qëllim që të mos blasfemohet emri i Perëndisë dhe doktrina.
2 Ndërsa ata që kanë zotërinj besimtarë, mos t'i përçmojnë, sepse janë vëllezër, por t'u shërbejnë më tepër, sepse ata që marrin përfitim nga puna e tyre e mirë, janë besimtarë dhe të dashur. Këto gjëra mëso dhe nxit.
3 Nëse dikush mëson ndryshe dhe nuk pajtohet me fjalët e shëndosha (ato të Zotit tonë Jezu Krisht) dhe me doktrinën që është sipas përshpirtërisë,
4 ai është fodull, duke mos kuptuar asgjë, por duke qenë i sëmurë për rragatje dhe luftë fjalësh, prej të cilave lindin smirë, grindje, fyerje, hamendje të liga
5 dhe fërkime të kota nga njerëz që e kanë mendjen të prishur dhe janë të privuar nga e vërteta, duke kujtuar se përshpirtëria është mjet fitimi. Largohu nga të tillët!
6 Por përshpirtëria është mjet i madh fitimi kur shoqërohet me të qenët i kënaqur.
7 Se ne nuk sollëm asgjë në këtë botë dhe është e qartë se as nuk mund të nxjerrim gjë jashtë saj;
8 por nëse kemi ushqim dhe mbulesë, do të kënaqemi me këto.
9 Por ata që duan të pasurohen, bien në tundim dhe kurth, dhe në shumë dëshirime të marra e të dëmshme, të cilat i fundosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.
10 Se rrënjë e të gjitha të këqijave është dashuria për pará dhe disa, duke e aspiruar, u shmangën nga besimi dhe e tejshpuan veten e tyre me shumë sëmbime.
11 Por ti, o njeri i Perëndisë, ik prej këtyre gjërave dhe ndiq drejtësinë, përshpirtërinë, besimin, dashurinë, qëndresën dhe butësinë.
12 Bëje ndeshjen e mirë të besimit, mbërthe jetën e përjetshme, për të cilën edhe u thirre dhe bëre rrëfimin e mirë përpara shumë dëshmitarëve.
13 Po të porosis përpara Perëndisë, atij që u jep jetë të gjithave, dhe përpara Krishtit Jezus, atij që dha si dëshmi para Ponc Pilatit rrëfimin e mirë,
14 që ti ta mbash këtë urdhërim të panjollosur dhe të paqortueshëm deri në dukjen e Zotit tonë Jezu Krisht,
15 të cilën, në kohën e duhur, do ta tregojë i lumi dhe i vetmi Sovran, Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve,
16 i vetmi që ka pavdekësi dhe që banon në dritë të paafrueshme, të cilin nuk e pa asnjë nga njerëzit dhe as nuk mundet që ta shohë, të cilit i qoftë nder dhe pushtet i përjetshëm. Amen!
17 Të pasurit në epokën e tanishme urdhëroji që të mos bëhen mendjemëdhenj dhe të mos kenë shpresë në pasigurinë e pasurisë, por në Perëndinë e gjallë, që na i ofron pasurisht të gjitha për shijim.
18 Urdhëroji që të bëjnë mirë, që të pasurohen në vepra të mira, që të jenë bujarë dhe që ndajnë me të tjerët,
19 duke grumbulluar si thesar për veten e tyre një themel të mirë për të ardhmen, me qëllim që ta mbërthejnë jetën e përjetshme.
20 O Timote, ruaje amanetin, duke mënjanuar bisedat boshe dhe profane, dhe kundërshtitë e së quajturës rrejshëm "njohuri",
21 të cilën disa, duke e pohuar, u shmangën në lidhje me besimin. Hiri qoftë me ty! Amen!
Të gjithë librat
