Letra I drejtuar Timoteut 1
1 Pali, apostull i Jezu Krishtit, sipas urdhrit të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jezu Krisht, shpresës sonë,
2 Timoteut, birit të vërtetë në besim: hir, mëshirë dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Jezu Krishti, Zoti ynë.
3 Ashtu siç të nxita kur isha duke shkuar në Maqedoni, të rrish në Efes, me qëllim që t'i porositësh disa që të mos japin mësim ndryshe
4 dhe të mos u kushtojnë vëmendje miteve dhe gjenealogjive të pafundme, të cilat më tepër shkaktojnë rragatje sesa çojnë para ndërtimin nga Perëndia, që është në besim.
5 Por qëllimi i kësaj porosie është dashuria që vjen prej një zemre të pastër dhe një ndërgjegjeje të mirë, dhe një besimi jo të shtirur;
6 nga të cilat disa u shmangën dhe dredhuan në fjalë kote,
7 duke dashur të jenë mësues të Ligjit, por duke mos kuptuar as ato që thonë dhe as ato rreth të cilave bëjnë pohime me ngulm.
8 Por ne e dimë se Ligji është i mirë, po ta përdorë dikush ligjërisht,
9 duke ditur këtë: se ligji nuk vihet për të drejtin, por për të paligjshmit dhe të panënshtruarit, për të papërshpirtshmit dhe mëkatarët, për të pashenjtët dhe profanët, për atëvrasësit dhe mëmëvrasësit, për njerivrasësit,
10 për kurvarët, për ata që shkojnë me meshkuj, për rrëmbyesit e njerëzve, për gënjeshtarët, për shpërbetarët dhe për gjithçka tjetër që i kundërvihet doktrinës së shëndoshë,
11 sipas ungjillit të lavdisë së të lumit Perëndi, i cili m'u besua mua.
12 Dhe i jam falënderues atij që më fuqizoi, Krishtit Jezus, Zotit tonë, se më çmoi besnik, duke më vënë në shërbim,
13 ndonëse më përpara isha blasfemues dhe përndjekës, dhe i dhunshëm. Por m'u dha mëshirë, sepse i bëra duke mos ditur, në mosbesim;
14 dhe hiri i Zotit tonë stërteproi me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.
15 E besueshme është kjo fjalë dhe e denjë për pranim të plotë: Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë.
16 Por për këtë arsye m'u dha mëshirë, me qëllim që në mua, të parin, Jezu Krishti të tregonte gjithë durimin, për të qenë shembull i atyre që kanë për të besuar në të për jetë të përjetshme.
17 Tani, Mbretit të shekujve, të paprishshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të urtë i qoftë nder dhe lavdi në shekuj të shekujve. Amen!
18 Këtë porosi po ta besoj ty, o bir Timote, sipas profecive që janë bërë përpara për ty, që i mbështetur në to të luftosh luftimin e mirë,
19 duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, të cilën disa, duke e hedhur poshtë, bënë anijethyerje në lidhje me besimin.
20 Ndër këta janë Himeneu dhe Aleksandri, të cilët ia dorëzova Satanit, me qëllim që të korrigjohen për të mos blasfemuar.
Të gjithë librat
