Letra I drejtuar Timoteut 4
1 Tani, Fryma e thotë shprehimisht se në kohët e mëvonshme disa do të largohen nga besimi, duke u kushtuar vëmendje frymërave mashtruese dhe mësimeve të demonëve,
2 me anë të shtirjes së rrenacakëve, që janë të përdjegur në ndërgjegjen e vet,
3 që ndalojnë martesën dhe urdhërojnë që t'u rrihet larg ushqimeve të cilat Perëndia i krijoi për t'u marrë me falënderim prej atyre që besojnë dhe që kanë njohur të vërtetën.
4 Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë nuk është për t'u flakur, nëse merret me falënderim,
5 sepse shenjtërohet nëpërmjet fjalës së Perëndisë dhe uratës.
6 Duke ua parashtruar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbëtor i mirë i Jezu Krishtit, duke qenë i ushqyer me fjalët e besimit dhe të doktrinës së mirë, të cilën e ke ndjekur nga afër.
7 Por hidh poshtë mitet profane dhe që janë për plaka. Nga ana tjetër, stërvite veten tënde për përshpirtëri,
8 sepse stërvitja trupore është e dobishme për pak, ndërsa përshpirtëria është e dobishme për të gjitha, ngaqë ka premtime jete, edhe të asaj të tanishme, edhe të asaj që vjen.
9 E besueshme është kjo fjalë dhe e denjë për pranim të plotë.
10 Se për këtë edhe po mundohemi, edhe po shahemi, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, i cili është Shpëtimtari i të gjithë njerëzve, veçanërisht i besimtarëve.
11 Urdhëro dhe mëso këto gjëra.
12 Asnjë mos ta përçmojë rininë tënde, por bëhu shembull për besimtarët, në fjalë, në sjellje, në dashuri, në frymë, në besim dhe në dëlirësi.
13 Derisa të vij, kushtoji vëmendje leximit publik të Shkrimit, nxitjes dhe mësimit.
14 Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila t'u dha nëpërmjet profecie, me vënien sipër të duarve të pleqësisë.
15 Merru me këto gjëra, qëndro në to, me qëllim që përparimi yt të jetë i dukshëm ndër të gjithë.
16 Ji i vëmendshëm ndaj vetes sate dhe mësimit. Këmbëngul në to, sepse duke bërë këtë, do të shpëtosh edhe veten tënde, edhe ata që të dëgjojnë.
Të gjithë librat
