Letra I drejtuar Timoteut 5
1 Më të moshuarit mos i fol rëndë, por bëji thirrje si një atë; më të rinjve si vëllezër,
2 më të moshuarave si nëna, më të rejave si motra, me çdo dëlirësi.
3 Ndero vejushat që janë vërtet vejusha.
4 Por nëse ndonjë vejushë ka fëmijë ose nipër, këta të mësojnë, së pari, për të treguar përshpirtëri ndaj shtëpisë së vet dhe për t'ua shpërblyer paraardhësve; sepse kjo është e pranueshme përpara Perëndisë.
5 Por ajo që është vërtet vejushë dhe që ka mbetur e vetme, e ka vënë shpresën në Perëndinë dhe rri në përgjërime dhe lutje natë e ditë.
6 Ndërsa ajo që jepet në shthurje, ndonëse jeton, ka vdekur.
7 Edhe këto gjëra urdhëro, me qëllim që ata të jenë të paqortueshëm.
8 Por nëse dikush nuk përkujdeset për të vetët, dhe veçanërisht për shtëpiarët, e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.
9 Një vejushë të regjistrohet po të ketë mbushur jo më pak se gjashtëdhjetë vjet, të ketë qenë grua e vetëm një burri
10 dhe që ka dëshmi në vepra të mira: nëse rriti fëmijë, nëse priti të huaj, nëse lau këmbët e shenjtorëve, nëse ndihmoi ata që janë ngushtë dhe nëse shkoi pas çdo vepre të mirë.
11 Por vejushat më të reja ktheji mbrapsht, sepse kur të kenë epshe që i shtyjnë kundër Krishtit, dëshirojnë të martohen,
12 duke marrë kështu gjykim, ngaqë e shkelën besën e parë.
13 Dhe njëkohësisht mësohen edhe për të qenë të papuna, duke bredhur shtëpive; dhe jo vetëm të papuna, por edhe llomotitëse dhe biramele, duke folur gjëra që nuk duhet.
14 Prandaj, dua që vejushat më të reja të martohen, të bëjnë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe të mos i japin kundërshtarit asnjë rast për sharje;
15 se tashmë disa dredhuan mbas Satanit.
16 Nëse ndonjë besimtare ka vejusha, t'u vijë ajo në ndihmë atyre dhe mos të rëndohet kisha, me qëllim që kisha t'u vijë në ndihmë atyre që janë vërtet vejusha.
17 Pleqtë që kryesojnë mirë, duhet të çmohen të denjë për nderim të dyfishtë, veçanërisht ata që mundohen në fjalë dhe mësim.
18 Se Shkrimi thotë: "Kaut që është duke shirë, nuk do t'i vësh hundëz", dhe: "Punëtori është i denjë për pagën e vet".
19 Kundër një plaku mos prano padi, përveçse kur qëndron mbi dy ose tre dëshmitarë.
20 Ata që vazhdojnë të mëkatojnë, qortoji përpara të gjithëve, me qëllim që edhe të tjerët të kenë frikë.
21 Të përbetohem përpara Perëndisë dhe Krishtit Jezus, dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykim, duke mos bërë asgjë me anësi.
22 Mos i vër duart sipër askujt ngutas dhe as mos merr pjesë në mëkatet e të tjerëve; mbaje veten tënde të dëlirë!
23 (Mos pi më vetëm ujë, por përdor pak verë për shkak të stomakut dhe të lëngimeve të tua të shpeshta.)
24 Mëkatet e disa njerëzve janë të qarta, duke u paraprirë për gjykim, ndërsa të tjerëve u shkojnë pas.
25 Po ashtu edhe veprat e mira janë të qarta; dhe ato që janë ndryshe, nuk mund të fshihen.
Të gjithë librat
