Letra I drejtuar Timoteut 3
1 E besueshme është kjo fjalë: nëse dikush aspiron mbikëqyrjen, punë të mirë dëshiron.
2 Prandaj, duhet që mbikëqyrësi të jetë i paqortueshëm, burrë i vetëm një gruaje, i përkorë, i matur, i rregullt, mikpritës, i aftë të japë mësim,
3 jo i dhënë pas verës, jo dhunues, por zemërgjerë, jo luftarak, jo dashurues i parasë,
4 një që i kryeson mirë ata të shtëpisë së vet, që i ka fëmijët në nënshtrim, me plot dinjitet
5 (por nëse dikush nuk di të kryesojë ata të shtëpisë së vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?),
6 jo i sapokthyer në besim, me qëllim që, duke u fryrë, të mos bjerë në gjykim të djallit.
7 Duhet, madje, edhe që të ketë dëshmi të mirë nga të jashtmit, me qëllim që të mos bjerë në poshtërim dhe në kurth të djallit.
8 Dhjakët, po ashtu, duhet të jenë dinjitozë, jo të pasinqertë në fjalë, jo të dhënë pas verës së shumtë, jo lakmues fitimi të turpshëm,
9 por duke e mbajtur misterin e besimit me ndërgjegje të pastër.
10 Tani, edhe këta duhet të provohen, së pari, pastaj duhet të shërbejnë, po të jenë të paqortueshëm.
11 Gratë, po ashtu, duhet të jenë dinjitoze, jo shpifëse, por të përkora, besnike në të gjitha.
12 Dhjakët duhet të jenë burra të vetëm një gruaje, dhe që i kryesojnë mirë fëmijët dhe ata të shtëpive të veta.
13 Se ata që shërbyen mirë si dhjakë, fitojnë një shkallë të mirë për vetveten dhe guxim të madh në besimin që është në Krishtin Jezus.
14 Këto gjëra po t'i shkruaj duke shpresuar që të vij te ti së shpejti;
15 por po të vonoj, po t'i shkruaj që të dish se si duhet për t'u sjellë në shtëpinë e Perëndisë, e cila është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe tabani i së vërtetës.
16 Dhe si rrëfim i përbashkët, i madh është misteri i përshpirtërisë: Ai i cili u shfaq në mish, u përligj në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër kombe, u besua në botë, u mor lart në lavdi.
Të gjithë librat
