Letra I drejtuar Timoteut 2
1 Unë bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,
2 për mbretërit dhe për të gjithë ata që janë në pozitë të lartë, me qëllim që të kalojmë një jetesë të paqtë dhe të qetë, me çdo përshpirtëri dhe dinjitet.
3 Kjo është e mirë dhe e pranueshme përpara Shpëtimtarit tonë, Perëndisë,
4 i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të vijnë në njohje të plotë të së vërtetës.
5 Sepse ka vetëm një Perëndi, dhe vetëm një ndërmjetës mes Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus,
6 ai që dha vetveten si shpengim për të gjithë, që është dëshmia e dhënë në kohën e duhur,
7 për të cilën unë u vura predikues dhe apostull (po them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej), mësues i kombeve në besim dhe në të vërtetën.
8 Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur lart duar të shenjta, pa zemërim dhe zënie me fjalë.
9 Po ashtu, dua që gratë ta stolisin veten e tyre me veshje të rregullt, me cipë dhe maturi, jo me gërsheta dhe ar apo me margaritarë, apo me petk shumë të kushtueshëm,
10 por me çfarë u lypset grave që pohojnë perëndishmëri: përmes veprash të mira.
11 Një grua duhet të nxërë në qetësi, me çdo nënshtrim.
12 Por nuk ia lejoj një gruaje që të japë mësim dhe as që të ushtrojë pushtet mbi një burrë, por që të rrijë në qetësi,
13 sepse Adami u plazmua i pari, pastaj Eva.
14 Dhe nuk u mashtrua Adami, por gruaja, duke u mashtruar, ra në shkelje.
15 Por do të shpëtohet përmes të lindurit fëmijë, po të rrinë ato në besim dhe dashuri, dhe shenjtërim, me maturi.
Të gjithë librat
