Letra I drejtuar Selanikasve 5
1 Tani, rreth kohërave dhe periudhave, o vëllezër, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj,
2 sepse ju vetë e dini fort mirë se Dita e Zotit vjen ashtu si një vjedhës gjatë natës.
3 Sepse kur të thonë: "Paqe dhe siguri", atëherë do të pllakosë mbi ta një rrënim i papritur, sikurse dhimbjet e lindjes së gruas shtatzënë, dhe nuk do t'i ikin dot.
4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t'ju zërë në befasi si një vjedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës. Nuk jemi të natës, dhe as të errësirës.
6 Rrjedhimisht, pra, të mos flemë siç flenë edhe të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëllt.
7 Se ata që flenë, flenë natën dhe ata që dehen, dehen natën.
8 Ndërsa ne, ngaqë jemi të ditës, le të jemi të esëllt, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe si përkrenare shpresën e shpëtimit.
9 Se Perëndia nuk na caktoi për zemërim, po për marrje në zotërim të shpëtimit nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht,
10 atij që vdiq për ne me qëllim që, qoftë zgjuar e qoftë fjetur, të jetojmë njëkohësisht bashkë me të.
11 Prandaj, jepini zemër njëri-tjetrit dhe ndërtoni njëri-tjetrin, ashtu siç edhe bëni.
12 Tani, ju lusim, vëllezër, që t'i njihni ata që mundohen ndër ju dhe që ju kryesojnë në Zotin e ju heqin vërejtje;
13 dhe t'i çmoni ata tej mase shumë në dashuri, për shkak të punës së tyre. Jini në paqe ndër ju.
14 Dhe ju nxisim, vëllezër, hiquni vërejtje të çrregulltve, ngushëlloni zemërlëshuarit, mbështetni të dobëtit, kini durim me të gjithë.
15 Shikoni se mos dikush t'ia kthejë dikujt të keqen me të keqe, por ndiqni gjithmonë të mirën edhe ndaj njëri-tjetrit, edhe ndaj të gjithëve.
16 Gjithmonë gëzohuni.
17 Lutuni pandërprerë.
18 Në gjithçka falënderoni. Se ky është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
19 Frymën mos e shuani.
20 Profecitë mos i përbuzni.
21 Të gjitha vërini në provë; të mirën mbajeni.
22 Rrini larg nga çdo dukje e ligë.
23 Tani, vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë tërësisht, dhe e tërë qenia juaj, fryma dhe shpirti, dhe trupi, u ruajttë pa të metë në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
25 Vëllezër, lutuni për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetoj në Zotin që kjo letër t'u lexohet të gjithë vëllezërve të shenjtë.
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju! Amen!
Të gjithë librat
