Letra I drejtuar Selanikasve 2
1 Se ju vetë e dini, o vëllezër, që hyrja jonë te ju nuk ka qenë e kotë,
2 përkundrazi, edhe mbasi vuajtëm më përpara dhe u poshtëruam, ashtu siç e dini, në Filipi, patëm guxim në Perëndinë tonë që t'ju flasim ungjillin e Perëndisë në mes shumë përpjekjesh.
3 Se nxitja jonë nuk vjen prej gabimi, dhe as prej papastërtie, dhe as nuk është me dredhi,
4 por, ashtu siç ishim aprovuar nga Perëndia që të na besohej ungjilli, kështu edhe flasim; jo si duke u pëlqyer njerëzve, por Perëndisë që provon zemrat tona.
5 Se ne, asnjëherë nuk qemë te ju me një fjalë lajkatimi, ashtu siç e dini, as me një shkak të rremë për qëllim lakmie (Perëndia është dëshmitar),
6 as duke kërkuar lavdi prej njerëzve, as nga ju dhe as nga të tjerë, ndonëse mund të bëheshim barrë për ju si apostuj të Krishtit;
7 përkundrazi, qemë të butë në mesin tuaj, si një mëndeshë që përkujdeset për fëmijët e vet.
8 Duke ju dashur fort kështu, na pëlqeu për të ndarë me ju jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe shpirtrat tona, prejse na ishit bërë të dashur.
9 Se ju e kujtoni, vëllezër, mundin tonë dhe lodhjen: se si, duke punuar natë e ditë, me qëllim që të mos i bëheshim barrë ndonjërit nga ju, ju predikuam ungjillin e Perëndisë.
10 Ju jeni dëshmitarë, edhe Perëndia, se sa shenjtërisht dhe drejtësisht, dhe pa të metë u sollëm ndaj jush që besoni;
11 sikundërse e dini si u sollëm me çdonjërin nga ju, si një atë me fëmijët e vet, duke ju nxitur dhe ngushëlluar,
12 dhe duke ju përbetuar që ju të ecni denjësisht për Perëndinë që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e vet.
13 Për këtë arsye, edhe ne e falënderojmë Perëndinë pandërprerë, se kur e morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat nga ne, e pritët jo si fjalë njerëzish, por ashtu siç është vërtet, si fjalë Perëndie, e cila edhe vepron në ju që besoni.
14 Se ju, o vëllezër, u bëtë imitues të kishave të Perëndisë në Krishtin Jezus, që janë në Judé, sepse këto gjëra vuajtët edhe ju nga bashkëkombësit tuaj, ashtu si edhe ata nga judenjtë,
15 të cilët vranë edhe Zotin Jezus, edhe profetët e tyre, dhe ne na përzunë, dhe Perëndisë nuk i pëlqejnë, dhe janë kundër të gjithë njerëzve,
16 duke na penguar që t'u flasim kombeve me qëllim që ata të shpëtohen, për të përmbushur gjithmonë masën e mëkateve të tyre. Por zemërimi arriti mbi ta deri në fund.
17 Por ne, vëllezër, si mbetëm jetimë prej ndarjes nga ju për pak kohë (me fytyrë, por jo me zemër), u përpoqëm edhe më tepër për të parë fytyrën tuaj, me shumë dëshirim.
18 Prandaj deshëm të vinim te ju (pikërisht unë, Pali, më shumë se një herë), porse na pengoi Satani.
19 Se cila është shpresa jonë apo gëzimi, apo kurora e mburrjes?! A nuk jeni edhe ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij?!
20 Njëmend, ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi ynë.
Të gjithë librat
