Letra I drejtuar Selanikasve 1
1 Pali dhe Silvani, dhe Timoteu, kishës së selanikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezu Krisht: hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
2 E falënderojmë Perëndinë gjithmonë për të gjithë ju, duke ju përmendur në lutjet tona,
3 duke kujtuar pandërprerë veprën tuaj të besimit dhe mundin e dashurisë, dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë dhe Atit tonë;
4 duke e ditur, o vëllezër të dashur nga Perëndia, zgjedhjen tuaj,
5 sepse ungjilli ynë nuk erdhi te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë siguri të madhe (ashtu siç e dini se çfarë lloj njerëzish qemë ndër ju për hatrin tuaj).
6 Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në shumë mundim, me gëzim të Frymës së Shenjtë,
7 aq sa ju të bëheni shembuj për të gjithë besimtarët në Maqedoni dhe në Akai.
8 Se nga ju ka jehuar fjala e Zotit jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por edhe në çdo vend, besimi juaj te Perëndia ka marrë dhenë, saqë ne nuk kemi nevojë të themi ndonjë gjë.
9 Se vetë ata kallëzojnë në lidhje me ne se çfarë hyrjeje patëm te ju dhe si ju u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t'i shërbyer Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë,
10 dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin e ngjalli prej të vdekurve, Jezusin, që na shpëton nga zemërimi që vjen.
Të gjithë librat
