Letra I drejtuar Selanikasve 4
1 Së fundi, pra, vëllezër, ju lusim dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, ashtu siç morët nga ne atë se si ju duhet të ecni dhe t'i pëlqeni Perëndisë (ashtu siç edhe po ecni), që në këtë të mbushulloni edhe më tepër.
2 Sepse ju i dini cilët urdhra ju dhamë nëpërmjet Zotit Jezus.
3 Se ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj – që ju të rrini larg nga kurvëria,
4 që secili nga ju të dijë ta sigurojë enën e vet në shenjtërim dhe nder,
5 jo në pasion dëshirimi, sikundërse kombet që nuk e njohin Perëndinë,
6 që askush të mos e kalojë cakun dhe të përfitojë në këtë çështje nga vëllai i vet; prejse Zoti është hakmarrës për të gjitha këto, ashtu siç edhe jua thamë më përpara dhe ju paralajmëruam.
7 Se Perëndia nuk na thirri për papastërti, por në shenjtërim.
8 Për rrjedhojë, ai që hedh poshtë këtë, nuk hedh poshtë një njeri, por Perëndinë, atë që ju jep Frymën e tij të Shenjtë.
9 Tani, rreth dashurisë vëllazërore, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që ta doni njëri-tjetrin.
10 Dhe njëmend ju e bëni këtë ndaj të gjithë vëllezërve që janë në tërë Maqedoninë, por ju nxisim, vëllezër, që të mbushulloni edhe më tepër
11 dhe ta keni si ambicie që të jetoni qetësisht dhe të merreni me punët tuaja, dhe të punoni me vetë duart tuaja, ashtu siç ju urdhëruam,
12 me qëllim që të ecni me dinjitet ndaj të jashtmëve dhe të mos keni nevojë për asgjë.
13 Tani, ne nuk duam, vëllezër, që ju të jeni të paditur rreth atyre që flenë, që të mos trishtoheni ashtu si të tjerët që nuk kanë shpresë.
14 Sepse nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, kështu edhe Perëndia ata që fjetën përmes Jezusit, do t'i sjellë bashkë me të.
15 Se po ju themi këtë me fjalë të Zotit: ne të gjallët që mbetemi në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi aspak përpara atyre që fjetën;
16 sepse vetë Zoti, me kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me bori të Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe së pari do të ringjallen të vdekurit në Krishtin;
17 mandej ne të gjallët që mbetemi, do të rrëmbehemi njëkohësisht bashkë me ta në re, për ta takuar Zotin në ajër; dhe kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin.
18 Kështu që, jepini zemër njëri-tjetrit me këto fjalë.
Të gjithë librat
