Letra I drejtuar Selanikasve 3
1 Prandaj, duke mos duruar më, parapëlqyem të mbetemi vetëm në Athinë
2 dhe dërguam Timoteun, vëllain tonë dhe shërbëtorin e Perëndisë në ungjillin e Krishtit, që t'ju forcojë dhe t'ju japë zemër lidhur me besimin tuaj,
3 që asnjë të mos lëkundet në këto mundime, sepse ju vetë e dini që për këtë jemi caktuar.
4 Se edhe kur ishim me ju, ju parathoshim se do të shtrëngoheshim, ashtu siç edhe ndodhi dhe siç ju e dini.
5 Për këtë arsye, edhe unë, duke mos duruar më, dërgova Timoteun që të marr vesh për besimin tuaj, se mos mbase ju tundoi tunduesi dhe mundi ynë të kishte shkuar kot.
6 Por tani që erdhi Timoteu te ne nga ju dhe na dha lajm të mirë për besimin dhe dashurinë tuaj, dhe se keni gjithmonë një kujtim të mirë për ne, duke dëshiruar fort që të na shihni, sikundërse edhe ne t'ju shohim ju,
7 për këtë arsye, o vëllezër, në gjithë ankthin dhe mundimin tonë, ne morëm zemër lidhur me ju nëpërmjet besimit tuaj;
8 sepse tani jetojmë vërtet, nëse ju qëndroni në Zotin.
9 Se me çfarë falënderimi mund t'ia shpërblejmë Perëndisë lidhur me ju, për gjithë gëzimin me të cilin gëzohemi për shkakun tuaj përpara Perëndisë tonë,
10 natë e ditë duke u përgjëruar tej mase shumë që të shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë mungesat e besimit tuaj?!
11 Tani, vetë Perëndia dhe Ati ynë, dhe Zoti ynë Jezus e drejtoftë rrugën tonë te ju!
12 Dhe ju, Zoti ju bëftë të shtoni dhe të teproni në dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithëve, sikundërse bëjmë edhe ne ndaj jush,
13 që të forcohen zemrat tuaja, për të qenë të pafajësueshme në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Zotit tonë Jezus me të gjithë shenjtorët e tij! Amen.
Të gjithë librat
