Letra I e Pjetrit 3
1 Në mënyrë të ngjashme, ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, me qëllim që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë nëpërmjet sjelljes së grave të tyre,
2 duke vëzhguar sjelljen tuaj të dëlirë dhe me frikë.
3 Stolisja juaj të mos jetë e jashtme, si gërshetimi i flokëve dhe varja e stolive prej ari, apo veshja e rrobave të shtrenjta,
4 por të jetë njeriu i fshehtë i zemrës, me stolinë e paprishshme të frymës së butë dhe të qetë, e cila është shumë e kushtueshme përpara Perëndisë.
5 Se kështu e stolisnin dikur veten e tyre edhe gratë e shenjta shpresëtare në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të vet,
6 si Sara që iu bind Abrahamit, duke e thirrur "zotëri"; fëmijë të saj u bëtë, duke bërë mirë dhe duke mos u frikësuar nga asnjë trembje.
7 Ju, burra, në mënyrë të ngjashme, bashkëjetoni me gratë tuaja me mirëkuptim, duke i dhënë nderim femrës, si një enë më e dobët, ngaqë edhe jeni bashkëtrashëgimtarë me to të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.
8 Dhe, së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, vëlladashës, të përzemërt, miqësorë;
9 mos e ktheni të keqen me të keqe, as sharjen me sharje, por përkundrazi, bekoni, duke ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekim.
10 Se "ai që dëshiron jetën për ta dashur dhe ditë të mira për të parë, ta përmbajë gjuhën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me dredhi.
11 Të rrijë larg nga e keqja dhe të bëjë të mirën; të kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë.
12 Se sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij ndaj përgjërimit të tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të këqija".
13 Dhe kush është ai që do t'ju bëjë keq, po të bëheni imitues të së mirës?!
14 Por edhe në vuajtshi për shkak të drejtësisë, lum ju! "Por mos ia kini frikën atyre dhe të mos tronditeni",
15 por shenjtëroni Zotin, Perëndinë, në zemrat tuaja dhe jini përherë të gatshëm për mbrojtje ndaj çdokujt që ju kërkon arsye rreth shpresës që është në ju, por me butësi dhe frikë,
16 duke pasur ndërgjegje të mirë, me qëllim që, në atë çfarë ju përflasin si keqbërës, të turpërohen ata që flasin keq për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.
17 Se është më mirë, nëse do kështu vullneti i Perëndisë, që të vuani duke bërë mirë, sesa duke bërë keq.
18 Sepse edhe Krishti vuajti një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, që të na sjellë te Perëndia; duke u çuar në vdekje në mish, por duke u bërë i gjallë në Frymën;
19 në të cilin edhe shkoi dhe u predikoi frymërave në burg,
20 që dikur qenë të pabindura, kur njëherë durimi i Perëndisë priste në ditët e Noeut, ndërsa po ngrihej arka, në të cilën pak veta, domethënë tetë shpirtra, u shpëtuan përmes ujit;
21 për të cilin pagëzimi, si antitip, na shpëton tani edhe ne (jo heqja e ndyrësisë së mishit, por kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë ndaj Perëndisë) përmes ringjalljes së Jezu Krishtit;
22 i cili është në të djathtë të Perëndisë, mbasi shkoi në qiell dhe ndërsa iu nënshtruan engjëj dhe pushtete, dhe fuqi.
Të gjithë librat
