Letra I e Pjetrit 2
1 Prandaj, duke flakur çdo të keqe dhe çdo dredhi, dhe të shtirura, dhe smirë, dhe të gjitha përfoljet,
2 si foshnja të sapolindura dëshironi fort qumështin e pastër shpirtëror, që me anë të tij të rriteni,
3 nëse vërtet e shijuat se Zoti është i mirë.
4 Dhe duke ardhur pranë tij, një guri të gjallë, vërtet i hedhur poshtë nga njerëzit, por para Perëndisë i zgjedhur dhe i çmuar,
5 edhe ju vetë, si gurë të gjallë, ndërtoheni si një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, që të ofroni flijime frymërore të pranueshme për Perëndinë, nëpërmjet Jezu Krishtit.
6 Prandaj edhe përmbahet në Shkrimin: "Ja, po vë në Sion një gur, një gur këndi, të zgjedhur dhe të çmuar; dhe ai që beson në të, nuk do të turpërohet kurrë".
7 Për ju, pra, që besoni është nderi, ndërsa për ata që nuk binden, "guri që e hodhën poshtë ndërtuesit, ky u bë gur këndi",
8 dhe "gur pengese e shkëmb shkandulli". Ata pengohen duke mos iu bindur fjalës, gjë për të cilën edhe u caktuan.
9 Por ju jeni racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për pronësi të Perëndisë, në mënyrë që të shpallni virtytet e atij që ju thirri prej errësirës në dritën e tij të mrekullueshme;
10 ju të cilët më parë "nuk ishit popull", por tani jeni popull i Perëndisë; ju që "nuk ishit mëshiruar", por që tani u mëshiruat.
11 Të dashur, po ju nxis, si ardhës dhe mërgimtarë, që t'u rrini larg dëshirimeve mishërore, të cilat luftojnë kundër shpirtit,
12 duke pasur sjellje të mirë ndër kombet, me qëllim që, në atë çfarë ju përflasin si keqbërës, prej veprave tuaja të mira, ndërsa ata i vëzhgojnë, ta lëvdojnë Perëndinë në ditën e vizitës së tij.
13 Nënshtrojuni, pra, për hir të Zotit, çdo institucioni njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit,
14 qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për ndëshkim të keqbërësve dhe për lavdërim të mirëbërësve.
15 Sepse kështu është vullneti i Perëndisë, që, duke bërë mirë, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend.
16 Si njerëz të lirë, megjithatë duke mos e pasur lirinë si mbulesë të së keqes, por si skllevër të Perëndisë.
17 Nderojini të gjithë, duajeni vëllazërinë, kini frikë Perëndinë, nderoni mbretin.
18 Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni me plot frikë zotërinjve tuaj; jo vetëm të mirëve dhe zemërgjerëve, por edhe të shtrembërve.
19 Se është hir kjo që nëse, për shkak të ndërgjegjes ndaj Perëndisë, dikush duron trishtime, duke vuajtur padrejtësisht.
20 Se çfarë nami të mirë ka nëse, kur mëkatoni dhe grushtoheni, ju duroni?! Por nëse, kur bëni mirë dhe vuani, ju duroni, kjo është hir para Perëndisë.
21 Se për këtë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke na lënë një shembull, që të ndiqni gjurmët e tij;
22 "i cili mëkat nuk bëri dhe nuk u gjet dredhi në gojën e tij";
23 i cili, kur e shanin, nuk e kthente sharjen, kur vuante, nuk kërcënonte, por ia dorëzonte veten atij që gjykon drejtësisht;
24 i cili vetë i mbarti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit, që ne, duke vdekur në lidhje me mëkatet, të jetojmë në lidhje me drejtësinë; "me vurratat e tij ju u shëruat".
25 Sepse ju ishit duke u endur si dele, por tani u kthyet te Bariu dhe Mbikëqyrësi i shpirtrave tuaja.
Të gjithë librat
