Letra I e Pjetrit 1
1 Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, mërgimtarëve të diasporës së Pontit, Galatisë, Kapadokisë, Azisë dhe Bitinisë, që janë të zgjedhur
2 sipas paranjohjes së Perëndisë Atë, me anë të shenjtërimit të Frymës, për bindje dhe për spërkatje me gjakun e Jezu Krishtit: hir dhe paqe u shumofshin për ju!
3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht; ai që, sipas mëshirës së tij të madhe, na rilindi për një shpresë të gjallë, nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve,
4 për një trashëgimi të paprishshme dhe të papërlyer, dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiej për ju;
5 ju që ruheni me anë të fuqisë së Perëndisë nëpërmjet besimit, për një shpëtim që është gati për t'u zbuluar në kohën e fundit.
6 Në këtë ngazëlloheni, ndonëse tani, për pak kohë, nëse është e duhur, ju u trishtuat në sprova të çfarëdollojshme,
7 me qëllim që të provuarit e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar se ari që prishet, edhe pse provohet përmes zjarrit, të dalë për lavdërim dhe nder, dhe lavdi, në zbulesën e Jezu Krishtit;
8 të cilin, ndonëse nuk e keni parë, e doni, dhe ndonëse tani nuk e shikoni, por besoni në të, ngazëlloheni me gëzim të pashprehshëm dhe të lavdishëm,
9 duke marrë përfundimin e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.
10 Rreth këtij shpëtimi kërkuan dhe hetuan me kujdes profetët, që profetizuan rreth hirit që do të vinte për ju,
11 duke hetuar për cilin apo për çfarë kohe e bënte të ditur Fryma e Krishtit në ta, ndërsa dëshmonte më përpara lidhur me vuajtjet që do të ishin për Krishtin dhe lidhur me lavditë që do të vinin mbas tyre.
12 Atyre iu zbulua se nuk po i shërbenin vetes së tyre, por neve, me ato gjëra të cilat tani ju janë kumtuar nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin me anë të Frymës së Shenjtë që u dërgua nga qielli; gjëra për të cilat engjëjt dëshirojnë të përkulen për t'i parë.
13 Prandaj, duke ngjeshur ijët e mendjes suaj dhe duke qenë të esëllt, shpresoni plotësisht në hirin që do të sillet mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit.
14 Si fëmijë të dëgjueshëm, duke mos u njëtrajtësuar me dëshirimet e përparshme, kur i kishit në padijen tuaj,
15 por, ashtu si i Shenjti që ju thirri, jini edhe ju vetë të shenjtë në çdo sjellje tuajën,
16 ngaqë është shkruar: "Bëhuni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë".
17 Dhe nëse e thërrisni si Atë atë që gjykon paanësisht, sipas veprës së secilit, silluni me frikë gjatë kohës së qëndrimit tuaj si të huaj mbi tokë,
18 duke e ditur se jo me gjëra të prishshme, si argjend ose ar, u shpenguat prej sjelljes suaj të kotë, të trashëguar nga etërit,
19 por me gjak të çmuar, si të një qengji të patëmetë dhe të panjollosur, atij të Krishtit,
20 që ishte paranjohur përpara themelimit të botës, por që u shfaq në kohët e fundit për hatrin tuaj;
21 për ju që, nëpërmjet tij, besoni në Perëndinë që e ngjalli prej të vdekurve dhe që i dha lavdi; që kështu, besimi dhe shpresa juaj të jenë në Perëndinë.
22 Duke i pasë dëlirë shpirtrat tuaja në bindjen ndaj së vërtetës nëpërmjet Frymës, për një dashuri vëllazërore jo të shtirur, duajeni fort njëri-tjetrin prej një zemre të pastër,
23 sepse jeni rilindur jo prej një fare të prishshme, por të paprishshme, nëpërmjet fjalës së gjallë të Perëndisë, dhe që mbetet përjetë.
24 Ngaqë "çdo mish është si bari dhe çdo lavdi e njeriut është si lule bari; bari u tha dhe lulja e tij ra,
25 por fjala e Zotit mbetet përjetë". Dhe kjo është fjala që ju është shpallur juve si ungjill.
Të gjithë librat
