Letra I e Pjetrit 5
1 U bëj thirrje pleqve që janë ndër ju, unë bashkëplaku dhe dëshmitari i vuajtjeve të Krishtit, dhe pjesëmarrësi i lavdisë që ka për t'u zbuluar:
2 baritoni grigjën e Perëndisë, që është ndër ju, duke e mbikëqyrur jo me zor, por vullnetarisht; dhe jo me lakmi fitimi të turpshëm, por me gatishmëri;
3 dhe jo si duke ushtruar zotërim mbi ata që ju janë dhënë në hise, por duke u bërë shembuj të grigjës.
4 Dhe kur të shfaqet Kryebariu, do të merrni kurorën e pafishkur të lavdisë.
5 Në mënyrë të ngjashme ju më të rinjtë, nënshtrojuni pleqve. Dhe të gjithë ngjishuni me përulësinë, duke iu nënshtruar njëri-tjetrit, sepse "Perëndia u kundërvihet krenarëve, por u jep hir të përulurve".
6 Përuluni, pra, nën dorën e pushtetshme të Perëndisë, që ai t'ju lartësojë në kohën e duhur,
7 duke e hedhur gjithë shqetësimin tuaj mbi të, sepse ai merakoset për ju.
8 Jini të esëllt, rrini zgjuar; kundërshtari juaj, djalli, shkon rrotull si luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë ndonjë.
9 Bëjini qëndresë duke qenë të patundur në besim, duke e ditur se të njëjtat vuajtje po kryhen edhe në vëllazërinë tuaj në mbarë botën.
10 Por Perëndia i çdo hiri, ai që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, pasi vuajtët për pak, ai vetë do t'ju bëjë të plotë, do t'ju bëjë të vendosur, do t'ju forcojë, do t'ju bëjë të themeltë.
11 Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në shekuj të shekujve! Amen!
12 Përmes Silvanit, vëllait besnik (siç mendoj se është), ju shkrova me pak fjalë, duke ju nxitur dhe duke ju dëshmuar se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë, në të cilin po qëndroni.
13 Ju përshëndet ajo që është në Babiloni, e zgjedhur bashkë me ju, dhe Marku, biri im.
14 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje dashurie. Paqja me të gjithë ju që jeni në Krishtin Jezus! Amen!
Të gjithë librat
