Letra I e Pjetrit 4
1 Prandaj, duke qenë se Krishti vuajti në mish, edhe ju armatosuni me të njëjtin synim, sepse ai që vuajti në mish, ka reshtur së mëkatuari,
2 për ta jetuar kohën e mbetur në mish jo më për dëshirime të njerëzve, por për vullnetin e Perëndisë.
3 Se ka qenë e mjaftueshme koha që ka kaluar për të bërë dëshirën e kombeve, duke e shkuar jetën në shthurje, dëshirime, dehje, ahengje, të pira dhe idhujtari të palejueshme.
4 Në këtë gjë, ata çuditen që ju nuk vraponi bashkë me ta në të njëjtin vërshim shfrenimi, dhe ju fyejnë.
5 Ata do t'i japin llogari atij që është gati për të gjykuar të gjallë dhe të vdekur.
6 Se për këtë iu shpall ungjilli edhe të vdekurve, që, nga njëra anë, të gjykoheshin sipas njerëzve në mish, por, nga ana tjetër, të jetojnë sipas Perëndisë në frymë.
7 Por fundi i të gjithave është afruar; jini të matur, pra, dhe të esëllt, për t'iu kushtuar lutjeve.
8 Para së gjithash, kini të fortë dashurinë për njëri-tjetrin, sepse "dashuria do të mbulojë një morí mëkatesh".
9 Jini mikpritës për njëri-tjetrin, pa murmuritje.
10 Ashtu si secili mori dhunti, ta vini atë në shërbim të njëri-tjetrit, si administratorë të mirë të hirit të çfarëdollojshëm të Perëndisë;
11 nëse dikush flet, si duke folur thënie të Perëndisë; nëse dikush shërben, si duke shërbyer prej forcës që e siguron Perëndia; me qëllim që në të gjitha të lëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia dhe pushteti në shekuj të shekujve. Amen.
12 Të dashur, mos u çuditni për provën e zjarrit që është duke ndodhur ndër ju për sprovimin tuaj, si të ishte duke ju ngjarë diçka e pazakonshme.
13 Përkundrazi, në atë masë që merrni pjesë në vuajtjet e Krishtit, gëzohuni, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të gëzoheni me ngazëllim.
14 Nëse shaheni për emrin e Krishtit, lum ju, sepse "Fryma e lavdisë dhe e Perëndisë prehet" mbi ju.
15 Njëmend, mos të vuajë askush nga ju si vrasës apo vjedhës, apo keqbërës, apo si një që ndërhyn në punët e të tjerëve;
16 por nëse vuan si i krishterë, mos të ketë turp, por ta lëvdojë Perëndinë në këtë emër.
17 Sepse është koha që të fillojë gjykimi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon së pari nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?
18 Dhe "nëse i drejti mezi shpëtohet, çfarë do të bëhet me të papërshpirtshmin dhe mëkatarin?"
19 Kështu që, edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, t'ia besojnë shpirtrat e tyre Krijuesit besnik, duke bërë të mirën.
Të gjithë librat
