Letra I e Pjetrit 3
1 Në mënyrë të ngjashme, ju gra, nënshtrojuni burrave tuaj, me qëllim që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë nëpërmjet sjelljes së grave të tyre,
2 duke vëzhguar sjelljen tuaj të dëlirë dhe me frikë.
3 Stolisja juaj të mos jetë e jashtme, si gërshetimi i flokëve dhe varja e stolive prej ari, apo veshja e rrobave të shtrenjta,
4 por të jetë njeriu i fshehtë i zemrës, me stolinë e paprishshme të frymës së butë dhe të qetë, e cila është shumë e kushtueshme përpara Perëndisë.
5 Se kështu e stolisnin dikur veten e tyre edhe gratë e shenjta shpresëtare në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të vet,
6 si Sara që iu bind Abrahamit, duke e thirrur "zotëri"; fëmijë të saj u bëtë, duke bërë mirë dhe duke mos u frikësuar nga asnjë trembje.
7 Ju, burra, në mënyrë të ngjashme, bashkëjetoni me gratë tuaja me mirëkuptim, duke i dhënë nderim femrës, si një enë më e dobët, ngaqë edhe jeni bashkëtrashëgimtarë me to të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.
8 Dhe, së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, vëlladashës, të përzemërt, të përulur;
9 mos e ktheni të keqen me të keqe, as sharjen me sharje, por përkundrazi, bekoni, se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekim.
10 Se "ai që dëshiron jetën për ta dashur dhe ditë të mira për të parë, ta përmbajë gjuhën nga e keqja dhe buzët nga të folurit me dredhi.
11 Dhe të rrijë larg nga e keqja, dhe të bëjë të mirën; të kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë.
12 Se sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij ndaj përgjërimit të tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të këqija".
13 Dhe kush është ai që do t'ju bëjë keq, po të jeni të zellshëm për të mirën?!
14 Por edhe në vuajtshi për shkak të drejtësisë, lum ju! "Por mos ia kini frikën atyre dhe të mos tronditeni",
15 por shenjtëroni Zotin, Krishtin, në zemrat tuaja, përherë të gatshëm për mbrojtje ndaj çdokujt që ju kërkon arsye rreth shpresës që është në ju;
16 porse me butësi dhe frikë, duke pasur ndërgjegje të mirë, me qëllim që, në atë çfarë përfliteni, të turpërohen ata që flasin keq për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.
17 Se është më mirë, në dashtë kështu vullneti i Perëndisë, që të vuani duke bërë mirë, sesa duke bërë keq.
18 Sepse edhe Krishti vdiq një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, që t'ju sjellë te Perëndia; duke u çuar në vdekje në mish, por duke u bërë i gjallë në Frymë;
19 në të cilin edhe shkoi dhe u predikoi frymërave në burg,
20 që dikur qenë të pabindura, kur durimi i Perëndisë rrinte në pritje në ditët e Noeut, ndërsa po ngrihej arka, në të cilën pak veta, domethënë tetë shpirtra, u shpëtuan përmes ujit;
21 i cili, pra pagëzimi si antitip, ju shpëton tani edhe ju (jo heqja e ndyrësisë së mishit, por kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë ndaj Perëndisë) përmes ringjalljes së Jezu Krishtit;
22 i cili është në të djathtë të Perëndisë, mbasi shkoi në qiell dhe ndërsa iu nënshtruan engjëj dhe pushtete, dhe fuqi.
Të gjithë librat
