Letra I drejtuar Korintasve 6
1 A guxon ndokush nga ju që, duke pasur një çështje kundër një tjetri, të gjykohet para të padrejtëve dhe jo para shenjtorëve?
2 Nuk e dini se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet prej jush, vallë jeni të padenjë për gjyqe shumë më të vogla?
3 Nuk e dini se do të gjykojmë engjëj? Sa më tepër çështje të jetesës?
4 Pra, po të keni gjyqe për çështje të jetesës, a vini si gjykatës ata që janë përbuzur në kishë?
5 Për turpin tuaj po e them. Kështu, nuk ka ndër ju as edhe një të urtë, i cili do të mund të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?
6 Përkundrazi, hyn në gjyq një vëlla me një vëlla, dhe kjo para jobesimtarëve?!
7 Pra, tashmë është tërësisht dështim ndër ju fakti që keni procese gjyqësore me njëri-tjetrin. Përse nuk lejoni më mirë t'ju bëhet padrejtësi? Përse nuk lejoni më mirë t'jua hedhin?
8 Përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe ua hidhni të tjerëve, dhe këto ua bëni vëllezërve.
9 Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as të zhburrëruar seksualisht, as ata që shkojnë me meshkuj,
10 as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as grabitqarë, nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.
11 Dhe të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emrin e Zotit Jezus dhe në Frymën e Perëndisë tonë.
12 "Të gjitha janë të lejueshme për mua", por jo të gjitha sjellin dobi. "Të gjitha janë të lejueshme për mua", por unë nuk do të vihem nën pushtet të ndonjë gjëje.
13 "Ushqimet për barkun dhe barku për ushqimet", por Perëndia do t'i asgjësojë edhe atë, edhe këto. Ndërsa trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin; dhe Zoti për trupin.
14 Tani, Perëndia edhe Zotin e ngjalli, edhe ne do të na ngjallë nëpërmjet fuqisë së tij.
15 Nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A t'i heq, pra, gjymtyrët e Krishtit dhe t'i bëj gjymtyrë të një kurve? Kurrë mos qoftë!
16 Apo nuk e dini se ai që i bashkohet kurvës, është një trup me të? Sepse thotë: "Do të jenë të dy një mish i vetëm".
17 Ndërsa ai që i bashkohet Zotit, është një frymë me të.
18 Ikni prej kurvërisë! Çdo mëkatim, çfarëdo që të bëjë një njeri, është jashtë trupit, por ai që kurvëron, mëkaton ndaj trupit të vet.
19 Apo nuk e dini se trupi juaj është shenjtërore e Frymës së Shenjtë në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe nuk i përkisni vetvetes?
20 Se ju u bletë me një çmim. Lëvdoni, tani, Perëndinë në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, të cilat i përkasin Perëndisë.
Të gjithë librat
